BallinaMaqedoni

Mickoski: Kam informacione se BDI po përgatit protesta, janë përpjekje për të ruajtur pasurinë e fituar për 20 vite

Me këtë sjellje të papërgjegjshme BDI-ja kërcënon imazhin ndëretnik në vend dhe paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë si shtet. Dhe ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme si Qeveri për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë si shtet. Por në thelb, këto mesazhe janë një përpjekje për të mbrojtur në mënyrë të pashpresë pasurinë e fituar gjatë 20 viteve të fundit në pushtet. Dhe ky është fakt, sepse demokracia nënkupton që kushdo që ka shumicën në parlament të ketë edhe qeverinë, kështu i komentoi kryeministri, Hristijan Mickoski nismat e BDI-së që parimi “fituesi me fituesin” të hyjë në sistemin juridik dhe për riorganizim territorial sipas modelit belg.

Mickoski shtoi se thelbi i lëvizjeve të tilla është mbrojtja e kapitalit të fituar në 20 vitet e fundit në pushtet, por nuk përjashtohet mundësia që disa grupe padashur të manipulohen dhe të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin.

“Epo, shikoni, thelbi është të mbroni kapitalin e fituar në këto 22 vite në skenën politike dhe 20 vite në pushtet. Por nuk e përjashtoj mundësinë që grupe dhe struktura të caktuara të manipulohen, pa dashje. Dhe tani ato grupe dhe struktura mund të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin, të krijojnë një krizë. Ne si Qeveri kemi për detyrë ta mbrojmë atë dhe të mbrohemi”, nënvizoi Mickoski.

I pyetur se a priten protesta për këto çështje, Mickoski u përgjigj se ka informacione të tilla, por nëse janë paqësore dhe demokratike janë legjitime.

“E kam atë informacion. E kam fjalën për protesta. Për sa kohë që ato janë demokratike dhe paqësore, ato janë legjitime. Nëse bëhen të dhunshëm, atëherë do të them sërish, ne si qeveri kemi të drejtë të mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”, theksoi Mickoski.

I pyetur se çfarë mendon për parimin “fituesi me fitues”, Mickoski theksoi se demokracia nuk shkon me këtë parim, sepse në zgjedhje u delegjitimuan partnerët e koalicionit nga qeveria e kaluar dhe në emër të demokracisë parlamentare, të mposhturit duhet të shkojnë në opozitë.

“Mënyra se si funksionon demokracia nuk shkon me “fituesin me fituesin”, sepse në politikë nuk mund të jesh pak me njërin, pak me tjetrin. Kemi platforma diametralisht të ndryshme. Nuk mund të jesh 7 vjet në qeveri me LSDM-në dhe të thuash – kjo nuk vlen më dhe tani do të shkoj me VMRO-DPMNE-në. Nuk mund të jetë kështu! Ju zgjodhët partnerin tuaj të koalicionit dhe veproni mbi bazën e një programi, pavarësisht se çfarë ishte. Ishte një program qeveritar, ajo qeveri është mposhtur, delegjitimuar dhe këtu përfundon i gjithë procesi. BDI me koalicionin dhe LSDM-në së bashku fituan më pak se 300 mijë vota. VMRO-DPMNE dhe koalicioni fituan afro 450 mijë vota, dhe së bashku me VLEN-in dhe ZNAM-in mbi 600 mijë, tha ai dhe shtoi:

Vullneti i popullit është i qartë. “Në një realitet kaq të ri politik, në emër të demokracisë parlamentare, i mposhturi duhet të dalë në opozitë dhe fituesi të krijojë strukturën e qeverisë së ardhshme”, theksoi Mickoski.