Mickoski, Escobarit: Qeveria dezinformon bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe SHBA-në
Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski, në takimin me zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konfirmoi qëndrimin e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet kushtetuese.
Në takimin në Ambasadën Amerikane në Shkup, siç informojnë nga VMRO-DPMNE, Mickoski ka theksuar se pushteti aktual dezinformon bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe SHBA-në, për shumë çështje të brendshme politike.
“U konfirmua edhe një herë qëndrimi i partisë se përkushtimi dhe prioriteti thelbësor i VMRO-së janë vlerat e BE-së dhe euroatlantike. Në të njëjtën kohë, kryetari Mickoski tregoi se e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë jashtëzakonisht e vështirë është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të cilat qytetarët do të zgjedhin një qeveri me legjitimitet”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE.
Në takimin Mickoski-Escobar, ku morën pjesë nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikolloski dhe ambasadorja Angela Aggeler, të dyja palët theksuan nevojën e forcimit dhe thellimit të miqësisë strategjike ndërmjet dy vendeve.