Maqedoni

Mickoski: Do t’i propozojë partisë që të marrim pjesë në Qeverinë teknike

Hristijan Mickoski vlerëson se pjesëmarrja e OBRM-PDUKM-së në qeverinë teknike është e rëndësishme dhe do t’u propozojë organeve partiake që të jenë pjesë e pushtetit teknik ekzekutiv që duhet të formohet 100 ditë para zgjedhjeve.

Kreu i OBRM-PDUKM-së thotë se ky është mendim i tij personal dhe se vendimin do ta marrin autoritetet partiake. Ai thotë se është ende herët për të folur për kuadrot.

“Kur bëhet fjalë për obligim ligjor, propozimi im është që të propozojmë njerëz të cilët do të kenë për detyrë ta ruajnë procesin demokratik. Së pari të mbahen mbledhjet e organeve të partisë, të dalim me qëndrim të qartë i cili buron nga struktura dhe më pas do t’i dimë emrat dhe propozimet”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Kryeministri Kovaçevski, nga ana tjetër, nuk zbuloi se kur do të takohet me kundërshtarin e tij politik për të biseduar për çështje kadrore dhe parimore të Qeverisë teknike.

Në formatin 100 ditor të Qeverisë, e cila ka për obligim të përgatisë vendin për zgjedhjet parlamentare, dy ministra duhet t’i marrë partia më e madhe opozitare parlamentare, në këtë rast është OBRM-PDUKM-ja. Kryeministri jep dorëheqjen dhe zëvendësohet nga kandidati i propozuar nga partia ose koalicioni që përbën shumicën.

Në lidhje me marrëveshjen mes Ali Ahmetit dhe Zoran Zaev nga viti 2020, qeveria teknike do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, është propozuar nga BDI-së për këtë pozitë.