June 29, 2024
Maqedoni

Mexhiti: T’i themi stop përhapjes së kazinove nëpër lagjet tona

Nga tribuna e organizuar nga Forumi i Gruas i Lëvizjes Demokratike, psikologët ngrenë alarmin për shtimin e numrit të kazinove dhe kredive të shpejta. Sipas tyre kjo dukuri ndikon shumë në shëndetin mendor tek të rinjtë.

Përveç humbjeve të mëdha financiare, bixhozi ndikon në shëndetin mendor dhe mund të shkaktojë edhe ndryshim të personalitetit dhe kjo dukuri është shumë e rrezikshme për rininë, thotë psikologu Abdulla Thaçi, shkruan Alsat

“Ndodh përnjëherë edhe pse punojnë ma tepër, fillojnë të mos mund të ndajnë para anash, fillojnë kartelat kreditore apo diçka tjetër të jenë të zbrazëta, fillojnë të jenë më nervoz, më të paktë nëpër interaksionet e përditshme dhe gradualisht fillon pjesa e gënjeshtrës të jetë shumë prezentë, se nëse zgjat më gjatë fatkeqësisht kemi edhe ndryshim të personalitetit te ata persona”, tha Abdulla Thaçi, Psikolog.

Këto komente Thaçi i bëri në tribunën e organizuar nga Forumi i Grave të Lëvizjes Demokratike, ku teologë, profesorë nëna dhe gra shprehën shqetësimin e tyre lidhur prezencën e kazinove në vend si dhe biznesin e kredive të shpejta.

Deputetja Merita Koxhaxhiku thotë se për të, jo vetëm si deputete por edhe si nënë dhe gjyshe paraqet një shqetësim të madh fakti që bixhozi, nga njëra anë tentohet që të dislokohet 500 metra nga shkollat, nga ana tjetër lejohet prezenca e saj në të gjitha pajisjet elektronike dhe në të gjitha shtëpitë, përmes dhënies së licencave për kazino online.

“Jemi kundër largimit apo distancës së shkollave dhe kazinove 500 metra, jo nuk jemi kundër asaj, jemi kundër afrimit, pse të themi afrimit, po neve i kemi afruar, jo neve, por edhe unë futem në atë pjesë, por qeveria i ka afruar kazinotë, nuk i ka largu, por i ka afruar 5 cm, mund të thotë dikush prej jush se përse, po online, domethënë fëmiiu, i riu nuk ka nevojë të merr taksi të shkojë në kazino, të vishet të përgatitet ai e ka në shtëpi, atë e ka online në celular”, u shpreh Merita Koxhaxhiku, Deputete.

Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, tha se ish bashkëpunëtorët e tij, që tani udhëheqin me ekonominë dhe financat, për përfitime personale, po legalizojnë fajden dhe bixhozin përmes kazinove online dhe kredive të shpejta.

“Bashkërisht t’i themi stop përhapjes virale të kazinove nëpër lagjet tona, përhapjes së online kazinos që veçse është fut nëpër shtëpitë tona, po shndërrohet në një kauzë e cila kërkon një stop j vetëm nga Lëvizja Demokratike dhe opozita shqiptare por nga të gjithë qytetarët. Shkurt e shqip çdo ditë e më tepër bindemi se jo 500 metra, jo 3 km por duhet ti ndalojmë krejtësisht kazinotë pasi ato nuk i sjellin dobi as shtetit as qytetarëve”, theksoi Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Mexhiti tha se e përkrahin edhe iniciativën e Aleancës për Shqiptarët që kazino të ketë vetëm nëpër hotelet me 5 yje, por nëse do të pyetej vetëm Lëvizja Demokratike, ata janë për shfuqizim të plotë të të gjitha kazinove.