Lajmet e reja

Mexhiti: Shkelësit e ligjit për zbatimin e gjuhëve do të përballen me masa ndëshkuese

Zëvendëskryeministri i parë dhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, “dënojnë” shkeljet e ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e disa ministrive, shkruan Alsat.

Izet Mexhiti thotë se gjuha shqipe është e garantuar me ligj dhe për çdo shkelje të saj duhet të ndërmerren masa.

Drejtori i Agjencisë Granit Osmani nga ana tjetër, thotë se gjuha shqipe është zyrtare dhe respektimi i saj nuk është çështje dëshire.

“Secili duhet të jetë i përgjegjshëm për respektimin e ligjit, pra thjesht duhet të respektohet ligji dhe konform kësaj, ata që nuk e respektojnë këtë ligj, sikurse ligjet tjera, do të ketë masa. Në këtë drejtim është edhe inspektorati për implementimin e gjuhës, i cili duhet të jetë në këtë funksion. Aty ku thyhet ligji, aty ku nuk zbatohet të merren masa”, tha Mexhiti.

“Gjuha shqipe është e rregulluar, është pjesë e Kushtetutës dhe është gjuhë zyrtare, nuk është çështje dëshire a don apo nuk don dikush. Gjuha shqipe duhet të respektohet si gjuhë zyrtare”, tha Granit Osmani, Drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhës.

Agjencia dhe inspektorati për zbatimin e gjuhëve janë dy institucionet kompetente që merren me zbatimin e gjuhës shqipe në vend.

Ekipi i Alsat sot vizitoi hapësirat e Agjencisë, që si angazhim kryesor ka përkthimin dhe lektorimin e dokumenteve që publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ky institucion aktualisht numëron 35 të punësuar, ndërsa drejtori thotë se nevojiten punësime të reja.

“Probleme më të theksuara nuk kemi për momentin, përpos kemi nevojë për kuadër të ri, për punësime”, u shpreh Granit Osmani, Drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhës.

Me mungesë të kuadrit ballafaqohet edhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve.

Numri dy i Qeverisë, Mexhiti u zotua se edhe Agjencia edhe Inspektorati do të kenë mbështetje të fuqishme nga ana e Qeverisë. / Alsat.mk