Maqedoni

Mexhiti: Rinia foli zëshëm sonte në Shkup

Rinia e Shkupit sonte realizoi takim me funksionarë të Bashkimit Denokratik për Integrim, nënkryetarin Izet Mexhiti, sekretarin organizativ Blerim Bexheti, sekretaren për barazi gjinore, Saranda Imeri, Bashkim Hasanin, zëvendësministër i mbrojtjes, Anëtarin e Kryesisë Qëndrore dhe kryetar i Çairit, Visar Ganiu.

Me këtë rast nënkryetari Mexhiti tha se BDI është trashëgimi, BDI është përpjekje e përbashkët e djemve dhe vajzave, burrave e grave, kryengritësve e demokratëve të mirëfilltë për të ndërtuar një organizatë politike të hapur, moderne, të orientuar drejt perëndimit, dhe pa komplekset e inferioritetit të cilat shqiptarët ishin mësuar t’i shikojnë tek politikanët shqiptarë të fillim viteve 90. “Bashkimi i forcave të këtyre patriotëve dhe entuziastëve, në krye me Ali Ahmetin, në vitin 2002 rezultoi me krijimin e BDI-së, forcës politike e cila tani e 20 vjet është kthyer në sinonim për dinjitetin e shqiptarit, integritetin e shqiptarit, përfaqësimin e shqiptarit, për respektimin e shqiptarit. Për këtë trashëgimi po flasim në këto takime. Sepse kjo trashëgimi, ky thesar, kjo traditë politike të cilën e kemi ndërtuar këto 20 vite sot është vënë në sprovë. Këto vlera që kanë qenë dalluese për BDI-në sot janë lënë nën hije të agjendave personale dhe janë bërë pazar për interesa të karierave politike të individëve të cilët nuk e njohin idenë themelore të organizatës tonë, nuk e njohin karakterin e familjes tonë, nuk e kuptojnë filozofinë e partisë tonë, nuk e durojnë urtësinë e liderit tonë”, tha Mexhiti.
Ai potencoi se BDI nuk është e përçarë. “Pra, sot kemi idenë origjinale të BDI në njërën anë, dhe Artan Grubi në anën tjetër, tha Mexhiti dhe shtoi se: “Prandaj BDI sot ka ardhur në këtë derexhe. Sepse Artan Grubi uzurpatori i partisë tonë, vërtetë ka besuar se do të mundet ta eleminojë trashëgiminë, historinë, traditën tonë politike, dhe ta imponojë vetveten! I gjeti strukturat e formuara, e gjeti anëtarësinë fanatike, i gjeti organet e konsoliduara, dhe nisi me përçarjen e tyre. Për interesat e veta në parti suspendoi debatin dhe imponoi intrigat; suspendoi meritokracinë dhe imponoi servilitetin; suspendoi respektin dhe imponoi hilen; suspendoi pluralizmin dhe imponoi njëmendësinë. Ky është rreziku i vërtetë për BDI – në!”
Sekretari Organizativ Blerim Bexheti para rinisë theksoi se “ne i kemi sjellë fitore të njëpasnjëshme partisë dhe Ali Ahmetit duke i qëndruar pranë strukturave dhe qytetarëve dhe duke dëgjuar zërin e tyre.
“Andaj edhe kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi lojalë ndaj BDI-së dhe Ali Ahmetit. Dhe do të jemi të fokusuar për ta forcuar BDI, ta çlirojmë nga uzurpatorë dhe keqadashësit, ka thënë Bexheti.
“E nderuara rini në vitin 2002 kam qenë në moshën tuaj. Që atëherë si riniste kam pasur vizion të qartë se duhet të integrohemi në institucione shtetrore dhe më pastaj në NATO e BE. Këtu nuk ka dilema. Ende jemi pas asaj ideologjie. Ju jeni ata që do ta trashëgoni po të njëjtën.
Ju jeni shtylla e temeli i BDI-së.Pa themel dhe shtylla të forta, kulmi bie”, vlerësoi sekretarja organizative e BDI-së, Saranda Imeri.
Jetmir Asani, nënkryetar i Forumit rinor të BDI përkujtoi se është rritur me frymën e BDI-së dhe se BDI e mësoi se premtimi i dhënë para popullit duhet të mbahet “Mua BDI më mësoi të jem besnik në rrugë të nderit. Ne pa asnjë dilemë i besuam porgramit të BDI për avancimin e të rinjëve dhe prandaj unë dhe ju votuam, por ekzekutivi neve na harruan”, tha Asani.
“Ndoshta përfaqesuesit e ekzekutivit ju kanë harruar madje duke mos i bërë vend asnjë përfaqësuesi nga radhët e forumeve rinore në mesin e tyre, por ama ju jeni këtu dhe do të qëndroni këtu, për të kërkuar gjithçka që ju takon, për të thënë se skeni ndërmend të jeni pjesë e karvaneve të autobusëve me të rinj që po e braktisin vendin per në kurbet gjithnjë e më shumë sepse ju jeni pjesë e karvaneve të autobusëve vendor që shkojnë çdo ditë nëpër universitete për tu shkolluar e emancipuar”, tha Visar Ganiun kryetar i Çairit.
“Nëse ne e kemi gabim ashtu siç potencoi edhe nënkryetari Mexhiti në një prononcim televiziv, dhe kjo rini këtu mundet me e pas gabim, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pas kësaj rinie dhe pas shumicës së antarësisë së BDI, por nuk e kemi gabim”, deklaroi zëvendës-ministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani.

Ndryshe, qindra të rinj nga Shkupi ishin mbledhur sonte.