September 7, 2024
BallinaMaqedoni

Mexhiti: Punojmë intenzivisht që të lirohet ish-ushtari Blerim Ramadani

Izet Mexhiti, kryetar i LD-së / Fotografi në Shkup, gjatë fushatës presidenciale të rrethit të parë / Fotografia: Emir Hamzi
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti thotë se po punohet për lirimin e ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga Kosova, i ndaluar 10 ditë më parë në vendkalimin Glloboçicë-Jazhincë. Mexhiti tha gjithsesi se ky nuk është rasti i parë i ndalimeve të tilla, sikurse BDI-ja në opozitë përpiqet t’i tregojë opinionit publik.

“Për të informuar opinionin, sepse ka një tendencë nga BDI-ja për ta gënjyer opinionin se ky është rasti i parë. Ata që i njohin rrethanat, e dinë që ka qenë rasti Dugolli, rasti Morina, e disa raste të tjera ku BDI-ja ka pasur pushtet absolut dhe prapë kanë ndodhur. Neve na vjen keq që kjo ka ndodhur, mirëpo po punojmë çdo ditë, pa pompozitet, larg mediave, që rasti të marrë epilogun e drejtësisë dhe Blerim Ramadani të jetë i lirë ashtu si edhe gjithë të tjerët”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.

Një ditë më parë, ministri i brendshëm serb Daçiq, theksoi kërkesën e Beogradit Zyrtar për ekstradimin e Ramadanit nga Maqedonia e Veriut, duke shtuar se autoritet serbe kanë një listë të gjatë të ish-ushtarëve të UÇK-së me fletarreste ndërkombëtare, që sipas Serbisë dyshohen për krime lufte. “Ne presim që të sillet vendim për ekstradim, por kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut”, – tha Daçiq një ditë më parë. Rasti i Blerim Ramadanit, i cili tashmë është në paraburgim ekstradues 30-ditor, u politizua nga BDI-ja në opozitë, pavarësisht se edhe në kohën e saj në pushtet një sërë ish-ushtarësh të UÇK-së u ndaluan për shkak të fletarresteve të njëjta serbe, sikurse Gafurr Dugolli dhe Tomorr Morina. Për shkak të fletarresteve ndërkombëtare serbe, edhe Ramush Haradinaj ishte ndaluar në Francë në 2017, ndërsa edhe vëllai i tij Daut Haradinaj u arrestua në Vjenë në vitin 2019. Ndaj Ramush Haradinajt, një fletarrest serb në kohën kur ai ishte kryeministër, e kishin aktivizuar edhe autoritetet e Shkupit Zyrtar, por që nuk u zbatua. Ndërkohë, edhe ish ushtari tjetër i UÇK-së Fatmir Limaj ishte arrestuar mbi bazën e një fletarrresti serb në Slloveni, në vitin 2003. /Alsat/