June 30, 2024
Maqedoni

Mexhiti priti në takim ambasadoren Aggeler

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler u takua sot me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.

Ata kanë biseduar mbi projektet mjedisore, mënyrat për të zbutur ndikimet e ndryshimeve klimatike, si dhe përpjekjet e përbashkëta dypalëshe dhe rajonale në zbatimin e reformave dhe mbrojtjen e burimeve të vlefshme natyrore, si Liqeni i Ohrit, njoftoi ambasada amerikane.

Me kumtesë ka dalë edhe ministri Mexhiti.

Sot, në cilësinë e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, realizova një takim me Ekselencën e Saj, Ambasadoren e SHBA-ve në vendin tonë, znj. Angela P. Aggeler.

Në këtë takim theksova prioritetet kryesore dhe përcaktimet strategjike të Qeverisë së re. E binda Ambasadoren, se si shumicë parlamentare, do të mbetemi plotësisht të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella me partnerin tonë më të madh strategjik dhe aleatin tonë të fortë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E sigurova Ambasadoren, E.S. Angela Aggeler, se për ne, përcaktimi euroatlantik dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, mbeten prioritete kryesore.
Si Zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, në takim shpreha falënderim të sinqertë, për mbështetjen dhe ndihmën e parezervë të cilën SHBA-ja e ofron në kontinuitet, në drejtim të reformimit të institucioneve dhe forcimit të kapaciteteve demokratike dhe ambienitit demokratik në vendin tonë. Bashkërisht u dakorduam se nevojiten rezultate në luftën kundër korrupsionit politik, që ka depërtuar thellë në poret e shumë institucioneve. Drejtësia duhet të jetë joselektive, dhe në përputhje me standardet më të larta të sundimit të së drejtës. Që kjo të ndodhë, duhen reforma në sistemin e drejtësisë dhe, qeveria është e vendosur që këtë luftë ta çojë deri në fund.

Së bashku, u dakorduam se çështja e legjitimitetit politik të Qeverisë së re, është një çështje e mbyllur! Periudha para nesh, do të përdoret për të realizuar një tranzicion të suksesshëm dhe për të konsoliduar institucionet në vend. Në këtë proces, mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, në radhë të parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjithashtu e informova Ambasadoren për prioritetet kyçe të Ministrisë që drejtoj, në drejtim të luftës së pakompromis me ndotësit e ajrit ambiental, në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe në kuadër të planit për ajër të pastër. Së bashku do t’i përkushtohemi ndërtimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, që do të sigurojnë standarde më të larta ekologjike. Potencova se ne si shtet i ri, kemi nevojë për përvoja të mira si dhe shkëmbim njohurish në këtë drejtim. Nga Ambasadorja kërkova ndihmë në përpjekjet tona për përmirësimin e politikave shtetërore, në drejtim të një mjedisi më të shëndetshëm.

Në fund edhe një herë sigurova partnerin tonë strategjik, se i vlerësojmë lartë të gjitha investimet e deritanishme nga SHBA-të, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të institucioneve dhe zhvillimit demokratik shoqëror.

Mbetemi garantues i fuqishëm se Republika e Maqedonisë së Veriut, do të qëndrojë në kursin strategjik.