Maqedoni

Mexhiti: Përparim Bajrami ka themeluar ortakllëk bullgar në Lotarinë Shtetërore

Zv.kryeministri Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së në lidhje me marrëveshjen në mes kompanisë serbo-bullgare me Lotarinë Shtetërore.

Mexhiti thotë se “Luftën me nëntokën e Bullgarisë dhe Serbisë të instaluar thellë në industrinë e lojërave të fatit nga Artan Grubi dhe piunët e tij, nuk mund ta ndalojnë me akuza të paqëna e me shpifje”.

“Dirigjenti Grubi, përmes hallexhiut Kreshnik Bekteshi, sot paraqiti disa gënjeshtra dhe bëri akuza qesharake, të cilat tani do ti shërbejnë si një autogol. I mësuar me keqpërdorime e intriga, croupier-i i ruletit të Llotarisë mendon se gënjeshtrat që i publikon përmes portaleve të tij populli do t’i besojë. Po ua prezantoj kontratën e nënshkruar ndërmjet Llotarisë shtetërore dhe kompanisë së nëntokës bullgare Megawin: në të qëndron nënshkrimi i joker-it të Artanit- pra, Përparim Bajrami! Me këtë kontratë pra, pikërisht Përparim Bajrami ka themeluar ortakllëk bullgar në Megawin”.

“E kuptoj shqetësimin tuaj: këto pazare të pista po shkojnë në histori, e bashkë me to edhe provizionet e majme ishit mësuar t’i merrnit si shpërblim për shkatërrimin e rinisë tonë me bixhoz e kumar. Për fund: nga viti 2017 deri në vitin 2024 janë ndërruar disa qeveri: herë ka qeverisur VMRO-ja e herë LSDM-ja. Vetëm BDI-ja ka qenë konstantë nëpër të gjitha qeveritë. Pra, BDI e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit ka bërë marrëveshje me mafinë e bixhozit, dhe jo vetëm që nuk e ka ndaluar, por e ka fuqizuar edhe më shumë kumarin në shoqërinë tonë”, shkruan Mexhiti në reagim.

Ai në fund thekson se do të ketë përgjegjësi penale për keqpërdorimet nga zyrtarët e qeverisë së kaluar.