September 19, 2024
Maqedoni

Mexhiti: Me Kosovën po thellojmë bashkëpunimin, deri në fund të vitit mbledhje të përbashkët qeveritare

Zëvendëkryeministri i parë, Izet Mexhiti është shprehur se, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është kryeministri i parë i një vendi i cili qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

“E para mund ta quaj një vizitë pune të sukseshme. Është kryeministri i parë që pritet nga Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut. Në diplomaci kjo është një shenjë e mirë, që tregon se Kosova e ka vendin e posaçëm. Me qeverinë e re po thellohet bashkëpunim, po thellohen marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, në këtë drejtim u përmend edhe shkëmbimi tregtarë mes dy vendeve, i cili po rritet dhe do të rritet në të ardhmen”, u shpreh Mexhiti.

Mexhiti theksoi se, në takim u bisedua për fillimin e realizimit të projekteve infrastrukturore në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve dhe në frymën e bashkëpunimit pozitiv ndërshtetëror.

“Deri në fund të vitit do të kemi një mbledhje të përbashkët qeveritare mes dy vendeve. Mbledhja e pare do të mbahet në Prishtinë, ku do të shqyrtohet projektet e përbashkëta zhvillimore ndërmjet bashkëpunimit të resorëve kompetentë. E gjithë kjo do të jetë në të mirën e qytetararëve të dyja shteteve.
Po ashtu është biseduar edhe përshpejtimi i realizimit të projekteve infrastrukturore, gjegjësish rrugët Prizren-Tetovë dhe Rruga Shkup-Bllacë.

“Pala mysafire u njoftua se rruga Shkup-Bllacë së shpejti do të përfundohet, duke filluar me miratimin e buxhetit 2025, dhe se shumë shpejtë do të inaugurohet edhe pika kufitare “one stop shop”, pra një sportel të përbashkët për kontrollë kufitar mes dy vendeve në kufirin Bllacë – Hani iElezit”.

Në lidhje me rastin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Mexhiti tha se, të dy kryeministrat, shprehën keqardhje për rastin.
“Për incidentin në aroportin e Shkupit ka pasur komunikatë nga Ministria e Jashtme ku është shprehur keqardhje, edhe pse nuk është incidenti i parë, sepse në të kaluarën e afërtë kanë ndodhur edhe dy tre incidente, mirëpo janë mbajtur të fshehura, sepse nuk ka pas transaparencë. Për dallim, kjo qeveri është transparente. Përpos keqardhjes janë marrë informacionet nga të gjitha institucionet dhe pas hetimeve përfundimtare do të merren masat e nevojshme dhe ligjore, me qëllimin që në të ardhmen mos të përsëritet e njëjta. Ashtu sic u deklarua edhe kryeministri se herën tjetër do të dal vet ta pres dhe ta përcjell në aeroportin e Shkupit. Kjo vlen edhe për ministrat dhe funksionarët e tjerë të VLEN-it, të cilët janë në shërbim të homologëve dhe krejt kjo në funksion të bashkëpunimit ndërshtetëror mes dy qeverive”, u shpreh zv/kryeministri Mexhiti.

Në takim ishte temë edhe cështja e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, i cili tashmë është liruar nga paraburgimi në burg shtëpiak ku pritet së shpejti të përfundoj procedura në Gjykatës Supreme.

“Këso raste ka pasur edhe në të kaluarën, sikurse rasti Dugolli dhe Morina, por sot kjo u bartë te dy ministrat e drejtësisë, të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë për të gjetur një zgjidhje që do jetë e përhershme dhe jo të merremi me raste të vecanta. Këtu do të hyjë në punë praktika gjyqësore,sikurse dy rastet e mëparshme që janë liruar”, sqaroi Mexhiti. (INA)