Maqedoni

Mexhiti: Mbështetja e studentëve nuk është vetëm detyrë, por një përgjegjësi

Shkruan: Izet Mexhiti – Zëvendëskryeministër

Studentët janë shtylla kryesore e çdo shoqërie dhe shpresa jonë për një të ardhme më të mirë. Është detyra jonë të krijojmë mundësitë më të mira për ta, duke investuar në arsim dhe dhe në të ardhmen e tyre.

Sot, gjatë vizitës së studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit Nënë Tereza në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, pashë nga afër energjinë dhe potencialin që mbartin këta të rinj.
Gjatë takimit, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me funksionimin e institucioneve, politikat publike dhe ligjet që drejtojnë shtetin tonë. Një prej temave kyçe që diskutuam ishte edhe vendimi për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit Nënë Tereza, një investim prej 35 milionë eurosh. Ky projekt është dëshmi e përkushtimit tonë për të krijuar kushte moderne për arsimim dhe zhvillim, duke u dhënë studentëve hapësirat që meritojnë për tu zhvilluar.

Për ne, mbështetja e studentëve nuk është vetëm një detyrë, por një përgjegjësi e madhe dhe një privilegj. Ata janë pasuria më e madhe që kemi, dhe përkushtimi ynë ndaj tyre duhet të jetë i pakushtëzuar.

Ju falënderoj, të dashur studentë, që na dhatë mundësinë të ndajmë ide dhe të bashkëbisedojmë. Dyert e Qeverisë do të jenë gjithmonë të hapura për ju, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë me përkushtim të plotë. Me energjinë, vizionin dhe përpjekjet tuaja, jam i bindur se e ardhmja jonë është në duar të sigurta.