Maqedoni

Mexhiti: Katër deputetë të Frontit Evropian me një këmbë janë në pushtet, tregon në mënyrë indirekte kush janë

Tre apo katër deputetë të Koalicionit të Frontit Europian janë në pushtet me një këmbë, tha mbrëmë në intervistë për A2 CNN, kreu i Lëvizjes Demokratike, parti që është pjesë e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti.

Sipas tij, BDI e ka formuar Frontin Evropian për të mbijetuar si faktor në skenën politike. Ai madje në mënyrë indirekte ka treguar kush janë 3-4 deputetët në fjalë, transmeton lideri.mk.

“Frontin Evropian nuk e bashkoi as ideologjia, as programi, por për të mbijetuar ato parti. Tani kur është e qartë se nuk do të jenë në pushtet, misioni ka dështuar dhe fillon shpërbërja e Frontit Europian. Pra, tashmë mund të them se nga ata 18 deputetë që mori ky Front, tre-katër me një këmbë janë pjesë e mazhorancës së re. Tani nuk do t’i them emrat e tyre, por atje janë dy parti turke dhe komuniteti turk nuk ka kapacitet dhe potencial për të qëndruar katër vjet në opozitë. Ata sigurisht e shohin veten në qeverinë e ardhshme. Janë edhe disa deputetë të tjerë që janë me Ahmetin, të cilët në të kaluarën kanë luftuar dhe vrarë njëri-tjetrin, duke shkaktuar viktima te shqiptarët dhe pasoja të rënda. Kurse tani për tani ende janë bashkë”, tha Mexhiti.