Maqedoni

Mexhiti i drejtohet Ahmetit: Abaz, historia e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk ka filluar me ty, dhe nuk do përfundon me mua dhe Lëvizjen

Lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka dalë me një reagim të gjatë, kronologji deklaratash të liderit të integristëve, Ali Ahmeti dhe krerëve të shtetit Shqiptar sa i takon përzierjes së subjekteve politike shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21.

Mexhiti, duke iu drejtuar Ahmetit me nofkën “Abaz”, i thotë të njëjtit se inputon gjëra të paqena për mundësinë e pjesëmarrjes së Serbisë dhe Bullgarisë në zgjedhjet e Maqedonisë, të diktuara nga pjesëmarrja e Vetëvendosjes nga Kosova.

“Posaçërisht duhet theksuar inputimet e bëra nga partia e z. Ahmetit e cila inputon gjëra të paqena dhe akuzon se kinse pjesëmarrja e Vetëvendosjes në skenën politike apo zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut krijon pretekst për veprime të ngjajshme nga Serbia apo Bullgaria”, thotë mes tjerash Mexhiti.

Sjell shembullin e partisë serbe.

“Por është e pakuptueshme dhe skandaloze që z. Ahmeti dhe BDI akuzojnë për gjëra të paqena, si që është pjesëmarrja e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që në Maqedoni të Veriut për vite rresht egziston dhe vepron e ashtuquajtura Српска Напредна Странка у Македонији (Partia Përparimtare Serbe në Maqedoni) e cila përshkruan veten si e themeluar “sipas modelit të Srpska Narodna Stranka e cila eshte e formuar, me seli dhe vepron në Serbi (e drejtuar nga Aleksandar Vuçiç) me të cilën ndanë lidhje të përbashkëta dhe bazamentet e orientimit politik”. Partia në fjalë, pra simotër e partisë SNS në Serbi, është e regjistruar legalisht në Maqedoninë e Veriut në vitin 2006, drejtohet nga Dragisha Miletiç dhe kishte një deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në mandatin 2011 deri 2014.

Si ndodhe që z. Ahmeti dhe BDI akuzojnë dhe njollosin Vetëvendosjen dhe opozitën Shqiptare për gjëra inekzistente dhe njëkohësisht heshtin për po të njejtën dukuri që praktiohet për dy dekada, por nga partitë serbe në Serbi dhe Maqedoni të Veriut? Është vështirë të besohet se z. Ahmeti dhe BDI nuk kanë informata për ekzistimin e partisë SNS në Maqedoni të Veriut. Prandaj, shtrohet pyetja dhe brengosja: pse z. Ali Ahmetit i pengon mundësia e aktivitetit politik të një partie Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por nuk i pengon puna, veprimi dhe përfaqësimi legjislativ i partive serbe nga Serbia në Maqedoninë e Veriut?”, shkruan më tej Mexhiti.

Ka përfunduar me porosinë:

“Historia e Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Abaz, nuk ka filluar me ty dhe nuk do përfundon me mua dhe Lëvizjen. Ne jemi vetem ata që nga Maji do të bartim tutje flakadanin e lavdisë dhe sfidën e kohës, për të dorëzuar në duart e gjeneratave që do vijojnë – për shekuj dhe shekuj me radhë”./TV21