Mexhiti e përmbylli vizitën në Shqipëri me një takim miqësor me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu
Zv.kryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, ka përmbyllur vizitën 2 ditore në Shqipëri.
“Vizitën e parë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, e përmbylla me një takim miqësor, e konstruktiv me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu. Gjatë takimit, diskutuam për bashkëpunimin strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dy vende fqinje dhe aleatë në NATO, me marrëdhënie të forta dhe të konsoliduara”, shkruan Mexhiti.
“Analizuam gjendjen aktuale të bashkëpunimit tonë politik dhe ushtarak, duke vlerësuar se duhet që këtë bashkëpunim ta çojmë në një nivel më të lartë dhe dinamik. Diskutimi u përqendrua në sfidat që kemi përpara, veçanërisht në kontekstin e modernizimit të forcave tona të armatosura dhe përmbushjes së standardeve të NATO-s, me synimin për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse.
Në këtë kontekst, riafirmuam përkushtimin tonë për rrugen drejt integrimit euroatlantik të të dyja vendeve, me qëllim që në një të ardhme të afërt të përparojmë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”, ka shkruan Mexhiti.