Diaspora

Mësuesja e shkollës “Hasan Prishtina” që po ruan identitetin kombëtar të nxënësve shqiptarë në Kenerik (Conecticut) të Amerikës

Malbora Toci Zuncja mësuese e shkollës shqipe “Hasan Prishtina” te Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane, “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Waterbury, Connecticut, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Malbora Toci Zuncja bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE TE QENDRA KULTURORE DHE ISLAMIKE SHQIPTARO-AMERIKANE, “HASAN PRISHTINA”

Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane, “Hasan Prishtina”, është themeluar në vitin 1983 dhe ndodhet në 106 Columbia Blvd. Waterbury, CT. AACIC shërben si xhami për anëtarët e komunitetit shqiptar dhe është shtëpia e një shkolle në gjuhën shqipe. Qendra gjithashtu pret ngjarje muzikore dhe vallëzime, festivale kulturore dhe mbështet eventet qytetare në Waterbury. Shkolla është hapur për herë të parë në Shtator të vitit 2010. Programi shkollor ka si qëllim stimulimin dhe pasurimin e ekselencës në edukimin e të rinjve shqiptaro-amerikanë, duke ndërtuar një ndjenjë të fortë të aktivizmit të komunitetit në brezin tonë më të ri. Ky program është i hapur për të gjitha grupmoshat nga 6-18 vjec, pavarësisht besimit dhe anëtarësimit në komunitet.

ORGANIZIMI I MËSIMIT DHE MBËSHTETJA E PRINDËRVE

Në shkollën “Hasan Prishtina”, çdo të shtunë përdorim libra të ndryshëm jashtëshkollorë të përkthyer në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht. Kurrikula që përdorim është: Gjuhe Shqipe ( lexim, shkrim), Folklorin Shqiptar (muzikë, kërcim, poezi), Moral & Etike, Sport dhe Krijimtari të ndryshme. Gjithashtu nxënësit marrin fjalë të reja në fjalor dhe i përdorin ato në dialogje dhe fjali të ndryshme. Gjuha shqipe, gramatika, poezi të ndryshme janë një pjesë e rëndësishme e të shtunave tona mësimore. Sigurisht që muzika dhe këngët tradicionale shqiptare nuk mund të ngelen pas. Vallet popullore janë një emocion i veçantë në shkollën “Hasan Prishtina”. Prindërit janë një mbështetje shumë e madhe për fëmijet e tyre. Gjithmonë janë treguar të gatshëm për ti ndihmuar fëmijët si në mësimin e poezive, të këngëve dhe në ndërtimin e fjalive në shkollë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT

Jam shumë e lumtur kur shikoj nxënësit e mi duke folur shqip si dhe ata nxënës që mundohen ta mësojnë dhe ta flasin me zell të madh gjuhën shqipe. Të lindësh dhe të jetosh në mërgim është një sfidë e madhe në raport me ruajtjen e identitetit shqiptar. Prindërit janë shtysa më e madhe për fëmijët e tyre, më pas jemi ne mësuesit që me mundin, sakrificat dhe dëshirën e madhe arrijmë rezultate të shkëlqyera. Ashtu si në çdo shtet të Amerikës edhe në Connecticut ka familje me origjina, kultura dhe tradita të ndryshme. Është e rëndësishme që prindërit të ngulisin traditat dhe kulturat e gjuhës shqipe në kokën e fëmijëve të tyre. T’ju tregojnë sesa krenar është të jesh Shqiptar.

SHQIPTARËT NË CONNECTICUT SPONSORIZOJNË SHKOLLËN SHQIPE

Shkolla ‘Hasan Prishtina’ sponsorizohet kryesisht nga shqiptarët që jetojnë në Connecticut dhe nga kryetari i xhamisë. Falenderojmë prindërit dhe anëtarët e xhamisë që janë gjithmonë të gatshëm të kontribuojnë në mirëmbajtjen e shkollës. Edhe shoqëria Amerikane e mbështet shkollën dhe aktivitetet e saj.

TEKNOLOGJIA NË MËSIMDHËNIE NË INVESTIMET E ARDHSHME

Në ditet e sotme, teknologjia është një mjet shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mësimit dhe jo vetëm. Në shkollen shqipe “Hasan Prishtina” është një mangësi që shpresojmë ta zgjidhim sa më shpejt. Në këtë mënyrë çdo gjë do të ishte më e thjeshtë për nxënësit. Por, mungesa e teknologjisë, nxënësve të shkollës sonë nuk jua ka hequr dëshirën për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe. Ne kemi përdorur dialogje të ndryshme, fjali dhe tregime të shkurtra, kemi vizatuar, kemi luajtur, kemi kënduar se bashku duke mos i lënë hapësirë mungesës së teknologjisë.

KUSH ËSHTË MËSUESE MALBORA TOCI ZUNCJA?

Une quhem Malbora Toci Zuncja dhe kam lindur në një qytet të vogël të Shqipërisë. Studimet e larta i kam kryer në Universitetin ”Aleksander Moisiu”, Durrës, Bachelor dhe Master Profesional në degën Anglisht. Pasi përfundova studimet Master, punova për dy vite mësusese e gjuhës Angleze në qytetin e lindjes. Në vitin 2018, u zhvendosa në Amerikë me të fejuarin, ku bëmë dhe martesën. Zoti na ka bekuar me dy fëmijë të mrekullueshëm, Resul dhe Haris. Në vitin 2022, vendosëm që ta dërgojmë djalin e madh Resulin në shkollën “Hasan Prishtina”. Sapo pashë që shkolla po kërkonte mësuese, menjëherë ofrova ndihmën time vullnetare. Të punoj si mësuese, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë ëndrra ime. Është puna që e bej me vullnet, pasion dhe kënaqësi. Unë dua që gjithmonë nxënësit të arrijnë majat në rrugën e dijes dhe të ndihen komodë në të folurit e gjuhës shqipe. Aktualisht punoj si mësuese ndihmëse në një shkollë elementare në Ct. Kjo e thekson akoma më shumë dëshirën për të punuar si mësuese.