Maqedoni

Mesazhi prekës i mësueses nga Kërçova për nxënësit e saj: Nëse më respektoni, mos më sillni dhurata për 7-8 Mars!

Mësuesja nga Kërçova, Zana Veliu, përmes një letre publike dërguar në redaksinë tonë, u ka bë apel nxënësve të saj që mos t’i dhurojnë kurrfarë dhurate as për festën e 7 Marsit, e as për festën e 8 Marsit. Ju sjellim të plotë letrën e saj, me pak përmirësime gjuhësore:

Si çdo mësuese tjetër edhe unë me gëzim pres çdo festë të 7 dhe 8 Marsit. Mirëpo këto festa vitet e fundit janë bë paksa të sikletshme, si për mua edhe për shumë kolege të mia. Pse po them të sikletshme? Sepse shoh disa nxënës se si kursejnë paratë për uzhinën shkollore, që t’i blejnë mësueses dhuratë sa më të mirë.

A ka më keq?

Jam e vetëdijshme se disa nxënës nuk e kanë problem t’i blejnë mësueseve edhe dhurata ndoshta pak më të shtrenjta. Por çka të themi për ata nxënës që duhet të kursejnë nga buka e gojës për një dhuratë të 7 ose 8 Marsit?

Si mundet një mësuese të mbajë dhuratën Swarowski, të blerë me para prej këtyre nxënësve?

Prandaj u bëj apel të gjitha mësueseve të refuzojnë çdo dhuratë nga nxënësit, sado këmbëngulës të jenë ata ose prindët e tyre!
Porosia e mësueseve duhet të jetë: Nëse na respektoni, mos na sillni dhurata, nëse doni të na nënçmoni, atëherë bëni çfarë të doni!

Unë personalisht nuk pranoj asnjë lule, e jo diçka më shumë. E kam amanet nga Nëna ine që njëjtë si unë ka qenë mësuese.

Lulet më të mira për mua dhe për çdo mësuese tjetër, janë pesëshet tuaja. Suksesi i nxënësve është më i vlefshëm se çdo dhuratë që blihet me para.

Mirësjellja juaj, shembujt e kulturuar që mund t’i jepni në shkollë dhe jashtë shkollës, janë kënaqësi për ne, e jo dhuratat për festat e çmuara të 7 e 8 Marsit, apo për festa tjera që po shpifen çdo ditë, vetëm e vetëm për të rënduar buxhetin familjar të nxënësve edhe në këto kohëra krizash.

Po të pyetesha unë, do e ndaloja me Ligj këtë dukuri. Por ja që nuk pyetem dhe nuk mund tua ndaloj tjerëve, por unë personalisht nuk mund të pranoj asnjë dhuratë! Ju lutem për mirëkuptim. E thash që e kam amanet nga nëna ime. Nëse nuk më respektoni mua, respektojeni amanetin e Nënës sime dhe mos më nxjerrni në situatë të palakmueshme të refuzoj dhuratat tuaja, sepse me të vërtetë ndonjëherë më shkon mendja t’i hedhë në kontejner.

Jo se nuk respektoj sinqerietetin tuaj, por edhe ju respektone qëndrimin tim pa ndonjë keqkuptim!