Mesazhet e fundvitit! Sela: Shqiptarët i ka kapluar zymtia e mungesës së lirisë!
Kreu I ASH-së, Ziadin Sela, gjatë takimit të fundvitit, me aktivistë partiak e gazetarë, duke i bërë një rekapitullim vitit që po lëmë pas, ka potencuar se Ndryshimi i paralajmëruar nuk ka mbërritur për qytetarët shqiptarë.
Ai është zotuar se në vitin 2025 në takimet më të shpeshta me qytetarët, atyre t`ua bëjë me dije rreziqet me të cilët përballen shqiptarët por edhe vendi për shkak të bllokimit të procesit eurointegrues të vendit. Sela pret që bashkë me zgjedhjet e rregullta lokale, në vitin 2025 të mbahen edhe ato të jashtëzakonshme parlamentare.
“Dhe, pyetja esenciale; sot shqiptarët a janë më të lirë apo jo? Nëse këtë pyetje ia shtron cdo qytetari dhe ne e shtrojmë publikisht dhe I pyesim “A jeni më të mirë sot, se sa para se të krijohet kjo Qeveri?” Përgjigja fatkeqësisht është Jo! Do të kisha dashur të kishte përgjigje tjera, që Ne jemi më të lirë sot, por s`ka përgjigje të tilla. Zymtia e mungesës së lirisë, zymtia e qasjes refuzuese të institucioneve të shtetit, të njëjtat institucione që paguhen nga paratë tona, vërehet dhe e ndjen në lëkurën e tij edhe qytetari i thjeshtë. E ndjen prindi I cili u drejtohet spitaleve dhe sheh qasje refuzuese dhe cilësohet si kësaj apo asaj përkatësie etnike. E ndjen punonjësi në administratë, e atyre që kanë ngelur për shkak se një pjesë e madhe u larguan. Dhe, ato kanë vetëm një faj, për të cilin duhet të jenë krenar – janë shqiptarë!”, tha Sela.