Merkel më 14 shtator në Tiranë në takim me liderët e Ballkanit Perëndimor
Kancelarja gjermane Angela Merkel më 14 shtator do të udhëtojë për vizitë disa-orëshe në Tiranë.
Qëllimi i vizitës është t’i jepet inkurajim i ri procesit të filluar në vitin 2014, njofton korrespondentja e MIA-s nga Tirana.
“Së bashku me kryeministrin Edi Rama, në Tiranë, Merkel do të ulet në të njëjtën tryezë me liderët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë pranuar këtë proces, i cili synon të lehtësojë bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do të jetë i pranishëm në takim, sepse bëhet fjalë vetëm për kryetarë të qeverive”, transmeton Top Channel.
Shtohet se vizioni i kësaj iniciative bazohet në ndihmën dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komponenti më i rëndësishëm i Procesit të Berlinit është e ashtuquajtura “Axhenda për lidhje”, e cila fillimisht synon të lidhë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e transportit dhe energjetikës.
“Samitet e mbajtura në Gjermani, Austri, Francë dhe Itali ndihmuan në krijimin e komunikimit midis udhëheqësve të Ballkanit, si dhe në hartimin e disa projekteve infrastrukturore. Projektet e miratuara për secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE -së dhe pjesërisht nga ata”, thekson televizioni.
Kjo është hera e dytë që Merkel të vijë në Tiranë, pas vizitës në korrik të vitit 2015.