Mediumet kroate: Kurti u tall me Serbinë, fitoi duartrokitje kundër Bërnabiqit
Index.hr shkruan se Kurti është tallur me Serbinë dhe se njerëzit e kanë duartrokitur
Mediat e rajonit për përplasjen në Forumin e Bledit: “Kurti ia hodhi Brnabiqit”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, kanë pasur një përplasje verbale në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, nëse Kosova është e pavarur apo jo dhe se cili vend është më pro Bashkimit Evropian.
Kurti tha se është koha që pesë vendet e Ballkanit Perëndimor ta njohin njëri-tjetrin.
Brnabiq theksoi se për të “Kosova dhe Serbia janë një vend, se nuk bëhet fjalë për dy shtete dhe se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara”, si dhe se dyshon se do të bëhet anëtare e BE-së të paktën përderisa ka vende mosnjohëse.
Për përplasjen e dy kryeministrave, siç shkruan “Danas“, kanë shkruar edhe mediat rajonale, duke theksuar se “Kurti ia hodhi Ani Brnabiqit”.
Kështu është titulli i tekstit në Index.hr, i cili gjithashtu shkruan se Kurti është tallur me Serbinë dhe se njerëzit e kanë duartrokitur dhe qeshur me të, transmeton Telegrafi.
Edhe portali “Slobodna Bosna” (Bosna e Lirë) shkruan të njëjtën gjë – se “Kurti ia hodhi Ana Brnabiqit”.
Në rrjetet sociale është shpërndarë një video nga debate mes Brnabiqit dhe Kurtit.
“Ne jetojmë për paqen dhe stabilitetin”, thotë Brnabiq, duke iu referuar situatës në Kosovë. “Është në interesin tonë të ruajmë paqen dhe stabilitetin në rajon”, thotë Brnabiq, siç raporton “Slobodna Bosna”.
Ky portal më pas publikon replikën e Kurtit:
“Në Kosovë 94 për qind e njerëzve e mbështesin BE-në, në Serbi 35 për qind. Rusisë i kemi vendosur sanksione, Serbia as që e mendon për këtë”, tha Kurti, për çfarë mori duartrokitje nga audienca.
Portali i Sarajevës Klix.ba shkruan për përplasjen mes Kurtit dhe Brnabiqit në Bled.
“Ne do të kishim marrëdhënie normale nëse fqinjët tanë do të ishin çekë dhe jo serbë”, është vazhdimi i titullit të Klix.ba, duke cituar Kurtin, transmeton Telegrafi.
“Ata nuk u distancuan as nga Millosheviqi, as nga Putini. Pra, nuk është e lehtë për ne. Unë dua të normalizoj marrëdhëniet dhe këtë do ta bëja menjëherë nëse për shembull Çekia do të ishte fqinji im”, tha Kurti, përcjellë Klix.ba.
Për përplasjen verbale mes Kurtit dhe Brnabiqit ka shkruar edhe portali malazez “aktuelno.me”.
“Normalizimi me Serbinë është shumë më i vështirë. Është e mundur për ta arritur atë. Duhet ta zbatojmë marrëveshjen për të cilën unë dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kemi rënë dakord në Bruksel. Normalizimi në psikologji do të thotë mungesë e konfuzionit midis realiteti dhe fantazisë, unë këtu nuk mund të kontribuoj”.”, ka thënë Kurti, transmeton “aktuelno.me”.