“Më mirë për Tetovën” kërkon hetime pa kursyer askënd dhe lirim të spitalit nga udhëheqësia partiake
Jemi sot këtu para vendit të tragjedisë. Sot është dita e 8 nga tragjedia në të cilën humbën jetën 14 pacient dhe familjarë por asnjë përgjegjësi konkrete nuk ka, u gja në pres konferencën e sotme të iniciativës “Më mirë për Tetovën” lidhur me tragjedinë e 8 shtatorit me 14 viktima.
“I vetmi debat që është zhvilluar dhe zhvillohet është pranimi ose mospranimi i dorëheqjeve. Ky është një taktizim tendencioz për relativizim, me të cilin tentohet t’i iket përgjegjësisë” thanë nga kjo iniciativë.
“Më mirë për Tetovën” thekson se Kjo që i ndodhi spitalit të Tetovës është vetëm maja e ajsbergut dhe dëshmi për krimin që është rrënjosur në strukturat e shtetit. Ky spital me vite është në gjendje mizore, me kushte çnjerëzore, me higjienë e siguri jashtë të gjitha standardeve. Dhe e gjithë kjo si pasojë e të qenit peng nga partitë dhe politika.
“Fakti që në mesin e viktimave ka edhe familjarë të cilët janë detyruar të kujdesen për të afërmit e tyre, është një akt tjeter kriminal për të cilin prokuroria duhet të kërkojë përgjegjësi penale nga udhëheqësia e spitalit”, tha përfaqësuesi i iniciativës, Hamdi Sulejmani.
Në vazhdim ai numëroi edhe kërkesat tjera për përgjegjësi lidhur me tragjedinë.
“Me këtë duhet të merr fund që spitali i Tetovës të drejtohet nga kuadro partiake, pasi një shëndetësi e partizuar do vazhdoj të prodhoj tragjedi të tjera si kjo.
Për fat të keq drejtësia në këtë shtet disa herë ka dështuar nga presioni, korrupsioni dhe shantazhet.
Kërkesa jonë për përgjegjësi për 14 viktimat në asnjë mënyrë nuk duhet të konsiderohet si politizim i tragjedisë. Hetimet të bëhen pa kursyer askënd, në cilën do qoftë pozitë shtetërore apo partiake të jenë ato. Zero tolerancë për kulturën e pandëshkueshmërisë. Mjaft më se u trash zullumi. Në të kundërtën, reagimi i tetovarëve do jetë shumë i ashpër!”, kerkoi Sulejmani.
“Ta bëjmë Tetovën qytet me Spital të sigurtë dhe funksional për të gjithë!” përfundoi ai.