Maqedoni

Mbrojtja e lirisë së shprehjes, Kushtetuesja shënon 60 vjetorin e themelimit

Gjykata Kushtetuese, me rastin e 60 vjetorit të themelimit të saj, organizoi Konferencën Ndërkombëtare “Mbrojtja kushtetuese-gjyqësore e lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes publike të mendimit”. Ngjarja u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Shkup, të cilit i parapriu përmbyllja e Memorandumit të Mirëkuptimit.

“Të respektuar krerë shtetëror, politikanë dhe individë me ndikim në proceset politike, ju jeni ata që mund të vendosni veto, të miratoni vendime të gabuara për të cilat do të kishte implikime kushtetuese, por nga ana tjetër ju mund të ndikoni në proceset për përforcimin e këtij institucioni. Ne si gjykatës jemi të obliguar të materializojmë betimin për drejtësi, ndërsa inkurajoj qytetarët që të kërkojnë mbrojtje nga Kushtetuesja para se drejtësinë ta kërkojnë jashtë vendit.”, – deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.

“Shpresoj se në të ardhmen politika, por edhe opinioni publik, do të kuptojë rëndësinë e ankesës kushtetuese si segment të rëndësishëm të reformave dhe hap për përforcimin e sistemit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për sa i përket ndodhive në Kuvend ku u sulmuan edhe gazetarë që të ndaloheshim të informonin opinionin, vendimi juaj me të cilën konstatuat shkelje të së drejtës së shprehjes së lirë janë statisfaksioni i drejtë, jo vetëm për gazetarët e sulmuar, por edhe për demokracinë në vend.”, – theksoi presidenti, Stevo Pendarovski.