Kosovë

Mbi 90 mijë votues nga diaspora do të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

Mbrëmë ka përfunduar periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është: 90,860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte “dhe do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”.