Maqedoni

Matka, është e mbuluar nga mbeturinat, ankohen vizitorët

Një nga pikat më të bukura turistike të vendit, Matka, është e mbuluar nga mbeturinat, ankohen vizitorët. Sipas tyre, mungesa e higjienës, infrastruktura e keqe dhe mungesa e vendeve të parkimit, duhet të zgjidhet urgjentisht në mënyrë që të mos lihet në hije bukuria natyrore e kësaj pike turistike. Nga Komuna e Sarajit thonë se për investimet në Matke do të deklarohen nesër.

“Kjo rrugë me gropa por edhe pamja e kontejnerit të stërmbushur me mbeturina janë në hyrje të Kanionit të Matkës ku shumë vizitorë të huaj dhe të vendit, vijnë për të shijuar natyrën në këtë vend. Ndër turistët e paktë të cilët ishin për të vizituar këtë vend, thanë se mungojnë shportat e mbeturinave por edhe vetëdijesimi i qytetarëve që të mos hedhin mbeturina vend e pa vend”, raporton Avni Tahiri – Gazetar.

Edhe pse më të rrallë në sezonin dimëror, turistët që vizitojnë Kanionin e Matkës, nuk mungonin as sot.

Të parët që takuam, ishte një çift nga Franca, të cilët për Kanionin e Matkës, informatat e para i kishin gjetur në rrjetet sociale. Por, ajo që i kishite zhgënjyer ishte rruga me gropa dhe mbeturinat në çdo cep.

“Është vend dhe natyrë e bukur këtu. Duhet që të rregullohet rruga dhe të pastrohen mbeturinat sepse ka shumë mbeturina. Dhe shumë shënime nëpër mure”, tha një vizitor i huaj.

Problem shtesë për turistët janë edhe pagesat e larta në këtë vend turistik, dhe mungesa e tualeteve publikë, siç ishte rasti edhe me dy vizitorë nga Turqia të cilët thanë se kanë paguar nga një euro për të shfrytëzuar tualetin e një biznesi aty.

“Tualeti ishte shumë i shtrenjtë, Sa paguat? Një euro, në Turqi është 30 centë” , u shpreh një tjetër vizitor.

Mungojnë vend parkimet dhe koshat e mbeturinave tha një vizitorë tjetër.

“Ndoshta rruga të rregullohet siç duhet do të ishte mirë dhe po ashtu duhet të ketë më shumë vende parkimi që të mund të vijnë këtu dhe po ashtu edhe shenja që të mund të orientohen vizitorët. Nëse do të vendoseshin kosha plehrash do të ndihmonin njerëzit që të mos hedhin mbeturina në natyrë por çdokush duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë”, tha një tjetër vizitore.

Nga Komuna e Sarajit thonë se lidhur me ankesat e turistëve dhe projektet që i planifikojnë për Matkën do të japin përgjigje nesër.