Mateç, çerdhja edhe pse gati, akoma nuk është vënë në funksion
Çerdhja “Valbona 2001” në fshatin Mateç të komunës së Likovës duket se ka mbetur vetëm objekt dekori në qendër të fshatit. Pavarësisht kompletimit të saj tashmë disa muaj, nuk mund të vihet në funksion dhe t’ju shërbejë fëmijëve që kanë nevojë. Kreu i Komunës së Likovës, Erkan Arifi tha për Alsat se nga ana e komunës janë kryer të gjitha procedurat e kërkuara mirëpo institucionet përkatëse nuk kanë dhënë pëlqimet për stafin që duhet të jetë në shërbim të 115 fëmijëve.
“Jemi në pritje thuajse tre muaj, disa herë kemi bërë edhe urgjenca që të shohim deri ku ka arritur procedura. Kemi presion nga prindërit të cilët i kanë fëmijët e tyre për ti dërguar në çerdhe ku numri i pritjes është diku 84 fëmijë duke përfshirë fshatrat Nikushtak, Ropalcë, Vishticë, Mateç, Hotël dhe Likovë. Këtu nuk ka përkatësi politike, këtu vijnë të gjithë fëmijët të cilët kanë nevojë të vijnë dhe besoj që kjo kohë që po e humbim ka nis të bëhet edhe e tepërt nga ana e prindërve dhe mendoj që sa më shpejt të na përgjigjen që ta lëshojmë në përdorim”, tha Erkan Arfi, kryetar I Komunës së Likovës.
Të revoltuar u shprehën edhe banorët që takuam në mes të fshatit Mateç, disa prej të cilëve tashmë kishin fëmijët ose nipërit të regjistruar në listat e pritjes për në çerdhe.
“I kam dy nipa, njëri katër vjet e tjetri dy vjet, i kam regjistruar tashmë katër muaj, janë paraqit numër i madh. Të gjithë banorët ankohen çka u bë me këtë çerdhe, pse nuk çelet. Unë bashkë me gruan jemi pensionist, po kujdesemi sepse të dy prindërit e fëmijëve janë në punë, njëri punon në Shkup kurse nusja ligjëron gjuhë gjermane. Shumë jemi të angazhuar, fëmijët nuk po mbahen, veç se po thonë babi kur po e hapin çerdhen. Shumë tragjedi, për çka mos me pas fëmijët në këtë shekull çerdhe që aq të bukur e kanë rregulluar”, tha një banor.
“Duhet të hapet, shihet si e kanë punuar. Çka të ndërtohet është mirë”, shtoi një tjetër banor.
“Ka disa që i dërgojnë në fshatin Orizare po mbase është ndërtuar këtu pse të mos hapet”, tha një banor.
“I kemi dy fëmijë të djalit që kanë nevojë të shkojnë në çerdhe”, u shpreh një banor.
Çerdhja “Valbona 2001” është çerdhja e dytë në Komunën e Likovës. Në të pritet të sistemohen 115 fëmijë të ndarë në 6 grupe. Kjo çerdhe ka edhe kuzhinën distributive që do të shërbej për çerdhen “Rrezja “ në fshatin Orizare dhe një çerdhe tjetër që planifikohet të ndërtohet mes fshatit Llojan dhe Vaksincë. Me këtë problematikë po përballet edhe komuna e Haraçinës ku gjithashtu institucionet përkatëse nuk japin pëlqimet për stafin që do të mundësoj funksionimin e çerdhes. Nga Ministria e Punës Sociale nuk morëm asnjë përgjigje nëse procedurat për vënien në funksion të këtyre çerdheve janë në këtë institucion ose janë drejtuar në institucionet tjera përkatëse. (Alsat)