Maskat nuk do të hiqen as pas vaksinimit me dozën e dytë
Vaksinimi i qytetarëve me dy dozat të vaksinës anti kovid, nuk nënkupton edhe lirimin nga heqja e maskës. Kjo masë mbetet në fuqi të paktën edhe për dy javët e ardhshme. Edhe qytetarët që kanë marrë nga dy doza të vaksinave anti-kovid duhet të bartin maska sikur të gjithë të tjerët sipas masave aktuale për ambiente të hapura dhe të mbyllura.
“Vlerësojmë se ende është herët të jepet rekomandim për të mos u bartur maskat jashtë. Sa më shumë të rritet numri i vaksinimit dhe të ulen numrat e të infektuarve do të rishikohet masa, por në një moment të ri. Tani nuk prejudikojmë por mund të rikthejmë masat lehtësuese siç ishin më herët që në ambiente të hapura të bartet maska vetëm kur ka grupim njerëzish, dhe jo kur janë të vetëm- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Por, të vaksinuarit jo gjithnjë do të kenë privilegje edhe gjatë ekzaminimeve mjekësore. Megjithëse Ministri Filipçe tha që pacientët e imunizuar me dy doza mund të bëjnë operacione edhe pa bërë teste për detektimin e virusit korona, nga ana tjetër nga Qendra për shëndet publik në Shkup thanë që kjo masë nuk duhet të tolerohet. Drejtori Besim Zeqiri sqaroi se testet e shpejta antigjene duhet të bëhen në çdo kontroll të detajuar mjekësore për të mbrojtur si stafin mjekësor ashtu edhe pacientët e tjerë.
“Por, mendimi im personal është që nevojitet testi PCR me qëllim të zbulimit të atyre rasteve shumë të rralla që mund të jenë pozitiv edhe pas imunizimit me vaksinë ose pas kalimit të sëmundjes infektive. Shkurt, ky person nëse është bartës, mund të përcjell virusin te personeli mjekësor, te pacientët tjerë dhe në këtë mënyrë të kemi një zgjerim të sëmundjes ose shumim të virusit dhe kjo është e padëshirueshme, sidomos për spitalet- tha Besim Zeqiri, Drejtor i QSHP – Shkup.
Për dallim nga vendi ynë ku aktualisht ka mbi 10 mijë raste aktive, disa shtete të tjera kanë liruar nga mbajtja e detyrueshme e maskave për qytetarët të cilët kanë marrë nga dy doza të vaksinave anti kovid. Si në SHBA, Gjermani dhe shtete të tjera motivimi i qytetarëve për të marrë vaksinat ka bërë që të lirohen nga përgjegjësitë e tyre jo vetëm për heqje të maskave, por edhe për lëvizje të lirë nëpër shtetet tjera, pa pasur nevojë të mbajtjes së karantinës apo të testeve PCR.