Marrëveshja për Qeverinë e re shumë afër, javën tjetër konstituohet Kuvendi
Mediat tashmë po publikojnë informacione jozyrtare për ndarjen e resoreve dhe për kryetarin e ri të mundshëm të Kuvendit, ku të martën më 28 maj është caktuar seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare.
Në përbërjen e re parlamentare, koalicioni “Maqedonia juaj” i VMRO-DPMNE-së ka 58 deputetë, koalicioni “Për një të ardhme evropiane” të udhëhequr nga LSDM do të ketë 18 deputetë, koalicioni i Frontit Evropian i udhëhequr nga BDI do të ketë 18 deputetë, koalicioni VLEN do të ketë 14, dhe “E Majta” dhe ZNAM nga gjashtë deputetë.
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Timço Mucunski, i cili është pjesë e grupit punues të VMRO-DPMNE-së për negociatat për qeverinë e re, mbrëmë ka njoftuar se palët janë afër marrëveshjes përfundimtare me VLEN-in, por nuk ka dhënë detaje.
Sipas tij, është e mundur të arrihet dhe po punohet që të kemi një shumicë prej dy të tretash për temat kyçe.
Mediat raportojnë se pakoja ekzekutive e koalicionit VLEN përfshinë kryetarin e Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë, gjashtë ministri, shtatë zëvendësministra dhe rreth 400 drejtori. Sipas burimeve nga grupet e bisedimeve Afrim Gashi është paraparë në krye të ligjvënësit.
Zëvendëskryeministër i parë do të jetë Izet Mexhiti, ndërsa ministria e Eurointegrimeve apo zëvendëskryeministri për Eurointegrime do t’i takon Alternativës. Ky subjekt do të ketë edhe dy zëvendësministra atë të Arsimit dhe të Ministrisë për marrëdhënie mes bashkësive etnike. Në kuadër të VLEN, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit përveç zëvendëskryeministrit të parë do të ketë edhe Ministrinë e Ekologjisë dhe dy zëvendësministra edhe atë në MPB dhe Transport e lidhje.
Lëvizja Besa do të ketë dy ministri, atë të Ekonomisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Partia e Bilall Kasamit i cili ka vendosur të mban mandatin e kreut të Tetovës do të kedhë zëvendësministër në Kulturë.
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravari do të ketë gjithashtu dy ministri. Ministria e Shëndetësisë dhe një ministri pa resor. Krahu i Taravarit do të ketë edhe zëvendësministër në Mbrojtje dhe Bujqësi. Arben Taravari nuk përjashtoi mundësinë që ai vet të udhëheqë me Shëndetësinë, por tha se akoma nuk është definitive. Në 24 deri 48 orët e ardhshme pritet zyrtarizimi i marrëveshjes VLEN me VMRO-DPMNE-në.
“Aleanca do të ketë dy ministri, një zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë dhe transparencë dhe ministrin e shëndetësisë dhe dy zëvendësministra, si dhe dy sekretar shtetëror, gjegjësisht zëvendësministër për mbrojtje dhe zëvendësministër për bujqësi. Sekretar shtetëror në shëndetësi dhe një tjetër që tani nuk më kujtohet…Nuk përjashtohet mundësia, por nuk është definitive”, deklaroi Arben Tarvari, VLEN.