Markovski: Nëse fillon konflikti Kosovë-Serbi, shumë shqiptarë nga Maqedonia do të shkojnë në luftë
Nëse marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përkeqësohen, atëherë do të jetë shumë e vështirë të parandalohen shtetasit e Maqedonisë me kombësi shqiptare që të kalojnë kufirin dhe të marrin pjesë vullnetarisht në një konflikt të mundshëm ushtarak që do të shpërthente në fqinjësi, paralajmëron koloneli i pensionuar maqedonas dhe kryetari aktual i Forumit Ballkanik të Sigurisë, Dr.Bllagoja Markovski.
Në një intervistë për Plusinfo, ai thotë se Maqedonia nuk duhet të shqetësohet për momentin, por duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme kur bëhet fjalë për krizën në Kosovë, transmeton Lideri.mk.
Tekstin e plotë në gjuhën maqedonase mund ta lexoni në këtë Link:
https://plusinfo.mk/odi-zapri-gi-albancite-od-makedoni-a-ako-izbie-vo-na-na-kosovo-mozhe-li-konfliktot-da-se-prelee-i-ka-nas/
Disa ditë më parë, KlanKosova në një reportazh nga Maqedonia e Veriut raportoi se Shqiptarët që jetojnë në Shkup po i përcjellin me vëmendje të plotë zhvillimet në veri të Kosovës.
Ata thanë se Policia e Kosovës duhet të jetë më vigjilente se kurrë, derisa duhet marrë masa ndaj serbëve që kanë vendosur barrikada tash e 15 ditë, duke i rrezikuar kështu bashkëkomasit e tyre që jetojnë në atë pjesë, njofton Klan Kosova.
Disa thanë se zgjidhja mund të arrihet vetëm nëse krerët e shteteve ulen në tryezë të dialogimit, derisa rol të rëndësishëm sipas shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka edhe bashkësia ndërkombëtare, që sipas tyre duhet të ndërhyjë në kësi raste, para se situata të eskalojë.
Ndërkohë zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka komentuar zhvillimet e fundit Kosovë-Serbi.
Ajo tha se “situata nuk është larg nga një konflikt real në shkallë të gjerë”.
“Përkeqësimi i fundit që ka shpërthyer në atë krahinë tregon bindshëm se çdo largim nga korniza aktuale rregullative për Kosovën thjesht i bën radikalët e Prishtinës më sfidues. Një konflikt i vërtetë në shkallë të gjerë mund të jetë shumë afër”, paralajmëroi ajo, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Zakharova kujtoi se për shtatëmbëdhjetë ditët e fundit serbët ishin në roje në barrikadat që ata ngritën në veri të Kosovës në shenjë proteste kundër ndalimit të një ish-oficeri të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
“Një formë e tillë legjitime e rezistencës paqësore, jo të dhunshme ndaj akteve të rregullta të frikësimit dhe diskriminimit në baza etnike ka zemëruar ‘autoritetet’ shqiptare të Kosovës. Janë dhënë kërcënime për të çmontuar barrikadat me forcë duke përdorur pajisje të rënda. Listat me serbë të akuzuar për ‘terrorizëm’ qarkullojnë në domenin publik. Në këto lista përmenden emrat e anëtarëve të familjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq”, tha ajo.
Zakharova theksoi se respektimi i vendosur i themeleve ligjore ndërkombëtare ishte parakushti kryesor për një zgjidhje në Kosovë. “Përpjekjet për të minuar ose injoruar Rezolutën themelore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 janë të papranueshme”, shtoi zëdhënësja e MPJ-së ruse.
Ajo vuri në dukje se presioni i vazhdueshëm nga BE-ja dhe vendet e saj anëtare udhëheqëse ndaj serbëve të Kosovës “është në kontrast të plotë me heshtjen e tyre vdekjeprurëse që ata preferojnë ta mbajnë sa herë që është fjala për mospërmbushjen e obligimeve të Prishtinës për të krijuar Asociacionin” e Komunave me Shumicë Serbe.
“Bashkimi Evropian me qëllim prish marrëveshjet përkatëse të Brukselit të vitit 2013, mbyll një sy ndaj mosbindjes shumëvjeçare nga ana e kosovarëve, të cilët vazhdojnë të gëzojnë favore të ndryshme, si liberalizimi i rregullave të vizave apo pëlqimi dashamirës për të shqyrtuar aplikimin e Republikës së vetëshpallur të Kosovës për anëtarësim në BE”, thuhet në koment.