Mariçiq-Fajon: BE-ja jep mundësi, e cila nuk lëshohet, Sllovenia me përkrahje për hapin e ardhshëm
Jemi të vendosur në përkushtimin tonë që të harmonizohemi me standardet, vlerat dhe politikat e BE-së dhe t’i bëjmë hapat e ardhshme që të mbetemi në procesin dhe të avancojmë në negociatat me BE-në. Në këtë proces të ndërlikuar, me rëndësi kyçe është të dimë se shtet si Sllovenia, me përvojë të fuqishme evropiane, e kemi partner dhe aleat në plotësimin e agjendës së BE-së, tha zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq në takimin me zëvendës kryetaren dhe ministren e Çështjeve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, të mbajtur në margjinat e Forumit strategjik të Bledit.
Nga takimi, siç kumtoi SÇE, u dërgua porosi se BE-ja krijon momentum pozitiv politik, i cili është i volitshëm për përparimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane.
Tanja Fajon e ka përshëndetur vullnetin politik dhe angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për sukses në procesin negociues dhe ka shprehur inkurajim që Maqedonia e Veriut të vazhdojë përpara dhe se përkrahja nga Sllovenia mbetet deri në plotësimin e qëllimit strategjik, anëtarësimin e plotëfuqishëm në BE.
Në fokus të bisedave ishte tema për amandamentet kushtetuese, të cilat qëndrojnë si obligim për vazhdimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, për të cilat Mariçiqi dhe Fajon u pajtuan se amandamentet nuk janë vetëm plotësime kushtetuese, por se ato e simbolizojnë përkushtimin tonë të përshpejtimit të proceseve reformuese, evropeizimin e shoqërisë sonë, parimet demokratike, sundimin e së drejtës dhe drejtave të njeriut, thuhet në kumtesën e SÇE-së.
Mariçiq dhe Fajon, siç thuhet, biseduan edhe për miqësinë dhe bashkëpunimin shumëvjeçar të sinqertë mes dy shteteve dhe dy popujve, me të cilat në mënyrë shtesë i avancojnë marrëdhëniet e tyre, duke kontribuar në promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane, posaçërihst solidaritetin në ballafaqimin me pasojat nga ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore.
Zëvendës kryeministri merr pjesë në Forumin strategjik të Bledit, në panelin e quajtur: Mirupafshim Evropë! (?) – Vasal global ose lider global: Evropa në kohën e re gjeopolitike, ku marrin pjesë edhe Tanja Fajon, Federika Mogerini, Arança Gonzales, dekani i Shkollës parisiene për marrëdhënie ndërkombëtare, Kristofer Smith, e tjerë, informojnë nga SÇE.