Maqedonia s’është në “kovid listën e zezë” të Kosovës
Rritja permanente e të prekurve nga virusi korona në baza ditore ka bërë që vendi ynë të arrij në limitet e shteteve me rrezikshmëri të lartë. Sipas ISHP-së në 24 orët e fundit ka mbi 1,200 raste apo çdo ditë një rritje prej më shumë se 100 të prekur nga dita paraprake.
Kjo ka quar në rritje rapide edhe numrin e rasteve aktive ku aktualisht ka mbi 7,700. Të gjitha këto shifra në krahasim me popullsinë e vendit ka rritur incidencën e 14 ditëve të fundit në 568 të infektuar në 100 mijë banorë. Përveç masave për të kushtëzuar të gjithë ata që hyjnë në vend me PCR test negativ ose certifikatë vaksinimi, masa mori fqinji.
Në suaza të reciprocitetit, Qeveria e Kosovës mori vendim që të gjithë shtetet me rrezik të lartë do të kenë kushte për të hyrë në Kosovë që nga sot. Aktualisht, Maqedonia nuk është në listën me rrezik të lartë të Kosovës.
Qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, duhet të kenë test PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, thonë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Nga kjo masë përjashtohen personat që transitojnë nëpër Kosovë brenda 3 orësh, maunet dhe autobusët e organizuar në afat prej 5 orësh. Gjithashtu nuk nevojitet PCR test negativ nëse personi posedon certifikatë të vaksinimit të plotë anti kovid dhe vërtetim mjekësor se keni kaluar virusin korona në 30 ditët e fundit. Pa testet PCR në Kosovë mund të hyjnë fëmijët nën moshën 11 vjeçe.
Nga ana tjetër Qeveria Maqedonisë njoftoi se që sot Bashkimi Evropian do të njohë certifikatat e vaksinimit të bëra në vendin tonë dhe të cilat tashmë janë të certifikuara nga BE-ja. Sipas resorit qeveritar Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon, të cilit i njihen “pasaportat e gjelbra” për të lëvizur në shtetet e BE-së.
Komisioni Evropian sot solli vendim, me të cilin garantohet se certifikatat për COVID-19 të lëshuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut do të konsiderohen ekuivalente me Certifikatën digjitale të BE-së për COVID-19. Kjo do të thotë që vendi ynë do të jetë i lidhur me sistemin e BE-së dhe se certifikata e lëshuar nga autoritetet tona do të pranohet në BE nën të njëjtat kushte si Certifikata Digjitale e BE-së për llojet e vaksinave të miratuara nga BE-ja”, thonë nga Qeveria e RVM-së.
Në pikat e vaksinimit vërehet fluks i shtuar i qytetarëve të interesuar për imunizim. Përveç efektit të masave të reja preventive hyrja në valën e katër të pandemisë ka bërë që afër 17 mijë qytetarë të vaksinohen brenda 24 orëve të fundit. Autoritete shëndetësore thonë se tani më jemi në javën e dytë të këtij trendi intensiv të imunizimit, por në total vetëm 35% e popullsisë është vaksinuar me dy doza./Alsat