Maqedonia furnizohet edhe me 100 mijë vaksina, donacion nga Kina
Në poliklinikën “Jane Sandaski” në Shkup, kanë arritur sot edhe 100 mijë vaksina kineze të kompanisë “Sinofarma”, të cilat janë donacion për Maqedoninë e Veriut nga Ministria e Mbrojtjes në Kinë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska këtë donacion e kanë vlerësuar si, “ndihmë të vërtetë në kohë reale”.
Ambasadori i Kinës në vend, Xhang Su deklaroi, se ky është edhe një aksion konkret për ndihmë të qytetarëve të Maqedonisë dhe demonstrim i shpirt të fqinjësisë.
Kina, siç shtoi ambasadori, është e gatshme të ndihmojë qytetarët e vendit në kohë të pademisë.
Me vaksina kineze filloi vaksinimi masiv në vend, pasi gjatë muajit të kaluar arritën 200 vaksinë të kompanisë “Sinofarm”, të cilat Qeveria i bleu me marrëveshje direkte me prodhuesin.
Janë paralajmëruar edhe 500 mijë vaksina “Sinovak”.
Ndërkaq, rrjetin e vaksinave e kanë plotësuar edhe 38.400 vaksina AstraZeneca,të siguruara nëpërmjet mekanizmit Kovaks dhe që arritën mbrëmë në vend./TV21