Maqedoni

Maqedonia e gatshme të pranojë refugjatë afganë, deri më tani nuk ka ardhur ndonjë kërkesë e tillë

Kryeministri Zoran Zaev thotë se i kanë informuar Shtete e Bashkuara të Amerikës se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të ndihmojë për strehim të refugjatëve afganë. “Me qëllim që të shpëtohen jetët e popullsisë lokale, informojmë se jemi të gatshëm të ndërmarrim dhe pranojmë popullsi civile nga Afganistani e cila në 20 vitet e fundit ka punuar për paqen në atë vend, ishte mbështetje lokale për forcat aleate të NATO-s, përfshirë edhe Ushtrinë tonë, si dhe për të pranuar aktivistë nga organizatat demokratike humanitare dhe organizatat për të drejtat e njeriut në Afganistan”, ka shkruar kryeministri Zoran Zaev, duket shtuar se Qeveria është e gatshme të sigurojë vendosje në hotele dhe hapësira të tjera, ndërsa harxhimet do të mbuloheshin nga ana e SHBA-ve deri në sigurimin e një vendqëndrimi afatgjatë. Edhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani për TV21 pohoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ofrojë strehim për refugjatët afganë, ndërsa shton se deri më tani në Ministrinë e Jashtme nuk ka ardhur ndonjë kërkesë e tillë./TV21