Maqedoni: Rritet përkrahja për “Open Ballkanin”
Iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur” po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në opinionin maqedonas. Atë e mbështesin deri në 63.3 për qind e qytetarëve, që është një rritje prej 21 pikë përqindjeje në tre vjet. Këtë e tregojnë të dhënat e anketës së fundit të Institutit për hulumtime politike në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Anketa tregon se të rinjtë e njohin veçanërisht rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit rajonal ndërmjet Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë, kështu që 70.9 për qind e të anketuarve të moshës 18 deri në 29 vjeç kanë dhënë vlerësim pozitiv për “Ballkanin e Hapur”.
Iniciativa gjithashtu ka mbështetje të madhe në mesin e të gjitha grupeve etnike në vend. 62 për qind e të anketuarve që janë deklaruar si maqedonas dhe 67 për qind e të anketuarve që janë deklaruar si shqiptarë janë përgjigjur pozitivisht ndaj rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe integrimit ekonomik.
15.9 për qind kanë dhënë vlerësim negativ për të, që është një ndryshim drastik nga sondazhi i tre viteve më parë, kur gati 40 për qind e qytetarëve ishin skeptikë ndaj kësaj nisme.
Sipas sondazhit, qytetarët kanë mendimin më të mirë për dy fqinjët tanë nga “Open Balkans” dhe i vlerësojnë marrëdhëniet e tyre si më miqësore, ndërsa marrëdhëniet me Bullgarinë janë vlerësuar si më të këqijat, tregon anketa.
Mbi 56 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se marrëdhëniet më të mira i kemi me Serbinë, pasuar nga Shqipëria me 11.3 për qind. Nga ana tjetër, mbi 64 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se marrëdhëniet më të këqija i kemi me Bullgarinë.
Përndryshe, “Ballkani i Hapur” është një nismë rajonale që synon të përmirësojë lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Ajo u themelua në vitin 2019 nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me emrin Mini Shengen. Në vitin 2021, nisma mori emrin “Ballkani i Hapur” Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj.