Maqedoni

Maqedoni: Nga sot energjia elektrika më e shtrenjtë për 12%

Çmimi i ri i energjisë elektrike filloi të zbatohet nga sot. Por tani shtrohet pyetja nëse deputetët do t’i miratojnë me kohë ndryshimet në Ligjin për TVSH-në në mënyrë që çmimi i rritur i energjisë elektrike për 12 përqind të mos ndjehet. Zgjidhja ligjore për uljen e TVSH-së është në fillim të procedurave parlamentare. VMRO DPMNE thotë se nuk do e bllokojnë miratimin e këtij ligji. TVSH-ja e zvogëluar – sipas tekstit të ligjit do të hyjë në fuqi ditën që ligji i ri hyn në fuqi. Që do të thotë se nëse sillet më datën 15 të këtij muaji, gjysma e faturës do të llogaritet me 18%, ndërsa gjysma tjetër me pesë përqind.-

“Me ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe plotësimeve nga Ligji i Tatimit të Vlerës së Shtuar, përcaktohet dispozitë për zbatimin e normës tatimore prej 5% për energjinë elektrike”, thuhet në Ligjin për TVSH.

Ndryshe, propozim- ndryshimet e ligjit, Qeveria i dorëzoi në Kuvend me procedurë të shkurtuar. Kjo do të thotë që ndryshimet duhet të debatohen më shumë tre ditë në Komisionin e financave dhe buxhetit e më pas vijon debati në seancë plenare, ku deputetët duhet të votojnë për ligjin e ri të TVSH-së.

Aktivistët që me vite protestojnë kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, pohojnë se ulja e TVSH-së për rrymën është manipulim i kulluar nga pushtetit. Nëse nuk do të ishte vit zgjedhor, qytetarët do të paguanin fatura më të larta kurse kjo i pret vitin e ardhshëm.

Ndoshta qytetarët tani kanë fat që ka zgjedhje dhe nuk do e ndjejnë çmimin e lartë që duhej të miratohet. Kjo tani në mënyrë taktike do të shtyhet për një vit ose vitin pas tij. Kjo do jetë hyrje në krizë ekonomike. Mendoj se inflacioni do të rritet shumë, sidomos tani me krizën e Kovidit”, tha Marijan Nenov, “No Pasaran”.

Komisioni rregullator i energjetikës dje njoftoi se energjia elektrike do të shtrenjtohet për 12%, edhe atë me njohjen e shpenzimeve minimale të kompanive energjetike.