Maqedoni: Më shumë gra vdesin nga hipertensioni, se burra!
Mbi 40 për qind e popullsisë në vend vuan nga sëmundja e hipertensionit, ndërsa kardiologët e quajnë atë vrasës të heshtur. Të dhënat e fundit nga udhëzuesi i Shoqatës Evropiane tregojnë se vendet e Evropës Lindore, përfshirë Maqedoninë janë në zonën e rrezikut të lartë, ku si problematike është theksuar diagnostikimi i vonshëm i tensionit dhe neglizhimi i tij.
“Është një patologji e cila në Maqedoni përderisa bëjmë klasifikimin në njerëzit e rritur mbi 18 vjeç, mendohet se mbi 40 për qind e popullatës, edhe pse mendoj se kjo shifër mund të jetë shumë më i lartë, nëse i marrim vendet e Evropës, aty shohim se Kroacia është në vendin e parë rreth 30 për qind e popullatës për tension, kurse tek ne nga studimet, nga të dhënat të cilat i kemi në sistemin Termini im shohim se kjo përqindje është 40 për qind, megjithëse mendoj se një pjesë e madhe është akoma e pa dignostifikuar”, tha Vegim Zhaku, kardiolog.
Nga kjo sëmundje, përveç moshave më të rritura, rrezikojnë të preken edhe të rinjtë.
“Nuk mund të themi se kjo është një sëmundje e cila privilegjon të rinjtë dhe kap më tepër moshën e mesatare ose moshës së shtyer, kemi të dhëna që hipertensioni detektohet qysh në fëmijëri, dhe udhëzuesit e fundit të Shoqatës së Kardiologëve të Evropës rekomandojnë skriningun e të gjithë fëmijëve të paktën një herë në vit të cilët kanë dy prindër me hipertension, pra nëse nëna dhe babai janë të diagnostikuar dhe marrin terapi, ai fëmijë duhet të skrinohet sepse gjasat që hipertensioni ta zhvillojë qysh në moshë të re janë shumë të rritura”, tha Vegim Zhaku, kardiolog.
Sipas të dhënave të Instituti të Shëndetit Publik në vitet e fundit vdekshmëria si pasojë e hipertensionit është mbi 1 mijë persona, ndërsa numri më i madh i tyre është i gjinisë femërore.
“Në tre vitet e fundit numri i vdekjeve si pasojë e hipertensionit kalon mbi 1 mijë persona. Në vitin 2021 gjithsej 2.530 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e hipertensionit, prej të cilëve 1.147 kanë qenë burra dhe 1.383 gra. Në vitin 2022 gjithsej 1.642 persona kanë ndërruar jetë nga hipertensioni, prej tyre 760 burra dhe 882 gra. Në vitin 2023, janë regjistruar 1.492 raste të vdekjeve nga hipertensioni, ku 658 ishin burra dhe 834 gra”, tha Instituti i Shëndetit Publik.
Një ndër simptomat e hipertension janë kokëdhimbja, shikimi i turbulluar, marramendja, dhimbje në pjesën e pasme të qafës dhe çrregullimi i ritmit të zemrës.
Kardiologët rekomandojnë që të paktën një herë në vit të bëhen kontrolle, ushqim sipas udhëzimit të mjekëve dhe aktivitete fizike prej 150 minutash./Alsat.mk