Maqedoni: Kriza po kalon, punëtorë në hoteleri nuk ka
Situata në sektorin hotelerik, që e mbijetuan goditjen më të madhe gjatë pandemisë është alarmante. Kompanive të hotelerisë dhe turizmit u mungojnë 50 për qind e kuadrit të nevojshëm, para se gjithash kamerierë, recepsionistë, kuzhinierë dhe ndihmës, tregojnë rezultatet e anketës interne e cila është zbatuar nga njëra odë, informon Sindikata e Hotelerisë dhe Turizmit.
Nga Sindikata thonë se kanë paralajmëruar që në vetë fillim të krizës shëndetësore se ato punëdhënës që nuk i respektojnë punëtorët dhe e keqpërdorin gjendjen nuk do të tolerohen.
“Jemi dëshmitarë si punëdhënësit e këtyre sektoreve kërkojnë punëtorë dhe ankohen, dhe i porosisim ato pronarë vetë të punojnë dhe t’u kërkojnë falje punëtorëve, t’i kthejnë edhe pagat sipas vendit të punës që e punojnë me koeficientët për paga sipas Marrëveshjes kolektive për hoteleri dhe turizëm, që të shpëtohet sezoni turistik”, thonë nga Sindikata e Hotelerisë dhe Turizmit.
Sipas të dhënave të Sindikatës së Hotelerisë dhe Turizmit, nga fillimi i krizës disa të dhëna flasin se prej katër mijë deri në 20 mijë të punësuar e kanë braktisur sektorin hotelerik.
Sindikata e Hotelerisë dhe Turizmit i inkurajon punëtorët në këto sektorë t’i paraqesin të gjitha shkeljet e të drejtave të punëtorëve deri te Sindikata e Hotelerisë dhe Turizmit dhe Lidhja e Odave Ekonomike, me qëllim të intervenimit në kohë.