Maqedoni: Kritika për mënyrën e zgjedhjes së drejtorëve, Ivanovska: Emërimet, jo me pazare politike
MEPSO, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Drejtoria e Librave Amë, Agjencia për Investime të Huaja…
Këto janë disa nga institucionet, drejtorët e ardhshëm të të cilave do të angazhohen nga partia politike Alternativa, pas marrëveshjes së koalicionit mes kryeministrit në largim Zoran Zaev, dhe liderit të Alternativës, Afrim Gashi. Edhe pse rekomandimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, është që drejtorët e institucioneve të zgjidhen me konkurs publik dhe në procedurë të drejtë, duket se edhe kjo do të shpërfillet nga Qeveria. Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, në prononcim për Alsat tha se zgjedhja e drejtorëve të institucioneve nuk duhet të ndikohet nga negociatat dhe pazaret partiake, dhe shkarkimi i tyre duhet të sqarohet.
“As që u fol për këtë, dhe ky ishte një gjë normale. Pra, tani po flasim dhe mendoj se do të fillojë të respektohet, sepse edhe për shkak se institucionet ndërkombëtare na japin vlerësime dhe na rangojnë. Dhe më tej mos habitemi cili është niveli i korrupsionit. Sepse do ta them sërish, abuzimet me të drejtat diskrecionale, ndikimi politik, mosndëshkimi, mungesa e transparencës së mjaftueshme, janë rreziqe shumë të larta korrupsioni që na fundosin”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK.
Se kush do të jetë drejtor i ndonjë institucioni vendos Komisionin Qeveritar për Emërim, dhe ai punon sipas rregullores së punës, thonë nga Qeveria.
“Emërimi i ushtruesve të detyrës (dhe anëtarëve të bordit) në ndërmarrjet, inspektoriatet dhe institucionet shtetërore paraprihet nga një proces shterues intervistash dhe bisedash, për të identifikuar dhe pranuar propozimet e duhura kadrovike, që do të përmbushin kriteret dhe detyrimet që dalin nga një program i miratuar i qeverisë, dhe të cilët në radhë të parë janë profesionistë dhe kompetentë në fushat për të cilat janë emëruar, e ndërkohë rrjedh shpallja për emërimin e drejtorit, zëvendësdrejtorit etj. Me përfundimin e shpalljes i ndërpritet pozita e ushtruesit të detyrës, dhe në bazë të shpalljes aktuale emërohet drejtor apo zëvendësdrejtor”, njoftojnë nga Qeveria.
Nga Qeveria thonë se drejtorët në të ardhmen do të emërohen vetëm me një zgjidhje ligjore dhe jo me 123 ligje të veçanta. Ministria e Administratës ka dy vjet që punon në Ligjin për funksionin e lartë menaxhues, në të cilin kushtet, mënyra dhe kriteret për zgjedhjen e drejtorëve duhet të përfshihen nga të gjitha ligjet. Ish-ministri Damjan Mançevski, thoshte se ligjet aktuale janë të pakompletuara dhe nuk kanë dispozita për procedurë për garë të hapur dhe të ndershme, për përzgjedhje, apo kritere për përzgjedhjen e kandidatit më kompetent për pozitë udhëheqëse, gjë që vë në pikëpyetje parimet e meritës dhe barazisë gjinore.