Manifestimi “Dita e artit dhe e kulturës” në Kalanë e Nicës në fshatin Orashë
Kalaja e Nicës, kalaja shekullore është një dëshmi e bukur për civilizimet që kanë kaluar nëpër këto troje, është mahnitëse me histori dhe legjenda, ka qëndruar e qëndron me krenari mbi një kodër shkëmbore mbi fshatin Orashë. Kështjella shqiptare është e madhe, është vlerë shpirtërore, vlerë që duhet ruajtur dhe kultivuar edhe tek brezat që po vijnë. Aty gjithmonë kujtojmë të kaluarën, dhe na shërbejnë si frymëzim për të ardhmen.Të qëndrosh mbi këta gurë do të thotë të qëndrosh mbi historitë e shumta që ka përjetuar kjo kështjellë, mbi vuajtjet, hidhërimet, ankthet, tmerret, gëzimet, mbi fitoret e njerëzve që kanë kaluar, qëndruar e që kanë ikur së bashku me kohën duke lënë gjurmë përmes legjendash, përmes zakonesh, adetesh e këngësh.
Këshilli organizativ tuboi në një vend dashamirë të artit dhe kulturës, adhurues të letrave shqipe, dhe qytetarë të fshatit Orashë, në manifestimi “Dita e artit dhe e kulturës” orë poetike –muzikore në Kalanë e Nicës.
Bekim Ramadani, moderator, theksoi se për këtë kala është folur shumë por është shkruar goxha pak. Mungojnë të dhëna shkencore të cilat do të nxirrnin në dritë fakte interesante mbi rrugëtimin tonë nëpër shekuj. Kanë munguar ekspeditat shkencore që përmes hulumtimesh historike, arkeologjike, gjeologjike, speleologjike, antropologjike, etnologjike e të tjera që do ta pastronin mendjen tonë nga shumë përmbajtje të shtrembëruara, të rrejshme, të paargumentuara. Shkrimet, në përgjithësi kanë qenë iniciativa individuale, të pa përkrahura nga institucione dhe organizma shtetërorë.
Historiani Ismet Jonuzi – Krosi, si një ndër studiuesit e kësaj kalaje shpalosi të dhëna historike e faktografike për kohën kur ky lokalitet ka qenë e populluar.
Nijazi Muhamedi, publicist dhe studiues:“Kujtesa historike duhet të përcillet brez pas brezi. Me këtë rast ky takim është një gur i ri i rikujtueses së kësaj kujtese historike të mbetur vetëm nëpër legjendat e kësaj ane, jo edhe të shkrihet ajo me argumente historike, të rindërtohet në tërësinë e historiografisë dhe historisë së Skënderbeut”.
Sadije Aliti, poete “ky aktivitet është për tu përshëndetur andaj ne si krijues, si shkrimtarë të rajonit tëPollogut jemi këtu, bashkërisht me anëtarësinë e Shoqatës OENIUM ftesës iu përgjigjëm pozitivisht. Është mirë që të kujtohet kalaja, të kujtohet Nica dhe ky aktivitet të shënohet dhe të jetë një vazhdimësi e traditës sepse duhet të ecim gjurmëve të historisë tonë të lavdishme të së kaluarës” .
SeadRamadani, nga Këshilli Organizativ tha: “Qëllimi i këtij organizimi kulturor është që ne t’i japim shtytje emrit të fshatit, emrit të kalasë, emrit të historisë të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, veçanërisht kalasë sonë, për atë edhe e organizojmë këtë manifestim. Por në aspektet kulturore është edhe që njerëzit të bashkohen, edhe të kemi sa e më shumë poet, edhe të kemi një orë që do të bëjë jehonë të madhe në Maqedoni të Veriut”.
Një përpjekje shumë fisnike ka bërë poeti i madh Abdylazis Islami përmes veprës “Nica” ku vajza e poetit të ndjerë, zonja Drita Islami –Abdiu lexoi një fragment nga ky botim, ndërsa dr.Ejup Ajdini paraqiti një recension për këtë vepër. Qemal Rushiti, anëtari këshillit organizativ përshëndeti të pranishmit duke uruar që viti tjetër të jetë edhe më i organizuar. Islam Islami, pedagog dhe njohës i ngjarjeve në këtë anë shpalosi disa biseda të realizuara me banorët e vjetër të fshatit.
Vargjet e tyre i lexuan poetët: Berzat Sadiki, Rami Kamberi, Sadije Aliti, Adem Abdullahu, Behare Neziri, Sead Ramadani, EjupAjdini, Daim Ilazi, Bajramali Selimi, e të tjerë.
Këtë aktivitet me pika muzikore e begatuan studentët, Erza Shefiti në flautë dhe Benjamin Menga në violinë.Për të pranishmit u shpërndanë edhe mirënjohje, ndërsa u shtrua edhe një drekë me ushqime tradicionale.
Pak për Kalanë e Nicës.
Kalaja e Orashjes –Sobri, vendbanim nga koha e hershme antike ilire. Gjendet rreth 3,5 km në jug të fshatit, në një kodrinë të lartë (kuota 715) që dominon në Grykën e Dërvenit. Në maje ka mbeturina të themeleve dhe bedene dhe murre mbrojtëse nga gurii thyer dhe llaç gëlqeror,kurse në brendi themele të më shumë objekteve tëvogla,fragmente nga enë të qeramikës dhe material ndërtimor të shpërndarë .Janë gjetur edhe monedha nga shekulli IV dhe V. Në fund të kalasë nga ana veriore kambeturina të kishës dhe rreth saj varreza me konstruksione guri. Në këtë kala janë gjetur themelet e Bazilikës së hershme krishtere të shekullit të III apo të IV dhe është një ndërshenjat më të vjetra të krishterimit në Luginën e Pollogut. Tek populli kjo kala njihet me emrin Kalaja e Nicës.