Rajon - Botë

“Made in Afghanistan”, talebanët prezantojnë supermakinën vendase

Talebanët kanë prezantuar supermakinën e krijuar dhe prodhuar në Afganistan, Mada 9. Për realizimin e makinës sportive kanë punuar rreth 30 inxhinierë, ndërsa kompanisë ENTOP i janë dashur 5 vite për prodhimin e makinës.
Pamjet e para të makinës janë publikuar nga zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid në rrjetet sociale. Në video, automjeti nuk lëviz në asnjë moment, ndërsa me dhjetëra persona nxjerrin telefonët dhe e filmojnë.

Daily Mail shkruan se makina, pavarësisht pamjes së jashtme të saj, nuk ka asnjë mundësi të rivalizojë Bugatti-n apo McLaren. Talebanët pretendojnë se Mada 9 lëviz me një motor Toyota Corolla. Ghulam Haidar Shahamat, shefi i kompanisë, është shprehur për TOLO News në Afganistan se motori Toyota Corolla është i modifikuar për të arritur shpejtësi të lartë, por pa dhënë detaje. Ai theksoi se po punohet që ky model të dalë edhe me motor elektrik, por këtë do të nevojiten shumë kohë.