Rajon - Botë

Luftimet e reja tronditin kryeqytetin e Sudanit

Banorët e kryeqytetit të Sudanit, Khartoum, raportuan të enjten përsëri të shtëna me armë zjarri derisa shumë prej tyre u përpoqën të largoheshin nga qyteti në prag të festës së Bajramit që shënon fundin e muajit të Ramazanit.

Khartoum, Omdurman dhe Bahri janë tronditur nga beteja të ashpra këtë javë midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë Paraushtarake (RSF) që kanë mbyllur qytetin, duke bllokuar shumë qytetarë dhe duke shkaktuar mungesë të furnizimeve ushqimore.

Në orët e hershme të mëngjesit të 20 prillit, tymi dhe zjarret e shkaktuara nga luftimet e mëparshme dukej se ishin pakësuar, por luftimet nisën sërish.

Të shtëna me armë u dëgjuan në Bahri dhe banorët raportuan për përleshje të dhunshme në perëndim të Omdurman, ku ata thanë se ushtria kishte lëvizur për të bllokuar arritjen e përforcimeve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë Paraushtarake, raporton Reuters.

Luftimet po zhvillohen ndërmjet forcave të dy gjeneralëve rivalë që morën pushtetin përmes një grushtshteti më 2021: shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, që komandon grupin paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Armëpushimi që ishte në fuqi, u thye shpejt.

Disa nga luftimet më intensive janë fokusuar rreth kompleksit që strehon selinë e ushtrisë dhe rezidencën e sundimtarit ushtarak të Sudanit, gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan.

Ushtria kontrollon hyrjen në Khartoum dhe duket se po përpiqet të ndërpresë rrugët e furnizimit për luftëtarët e RSF-së, thanë banorët dhe dëshmitarët.

Fuqitë ndërkombëtare që janë duke u përpjekur të largojnë qytetarët e tyre nga vendi, kanë bërë thirrje të vazhdueshme për armëpushim.

“Nuk ka ushqim, dyqanet janë bosh, situata nuk është e sigurt, sinqerisht, kështu që njerëzit po largohen”, tha një banor i kryeqytetit të Sudanit.

Luftimet janë intensifikuar që nga mëngjesi i 15 prillit, duke ndërprerë furnizimin me energji dhe ujë në shumë vende gjatë ditëve të fundit të Ramazanit, kur myslimanët agjërojnë nga agimi deri në muzg.

Luftimet kanë shkatërruar shpresat për përparim drejt demokracisë në Sudan dhe rrezikojnë të tërheqin në luftë edhe shtetet fqinj. Sudani ndodhet në një pozicion strategjik midis Egjiptit, Arabisë Saudite, Etiopisë dhe rajonit të paqëndrueshëm të Sahelit të Afrikës.

Të paktën 270 njerëz kanë vdekur dhe 2.600 janë plagosur, vlerëson Ministria e Shëndetësisë e Sudanit.

Nëntë spitale janë goditur nga artileria dhe 16 të tjerë është dashur të evakuohen, tha Unioni i Mjekëve Sudanezë, dhe asnjë nuk funksionon plotësisht brenda kryeqytetit. /REL