Maqedoni

LSDM: Po radhiten skandalet në komunat që udhëheq VMRO-ja

Partia maqedonase në pushtet LSDM, thotë se në komunat nën ombrellën e OBRM-PDUKM-së po radhiten skandale. Nga LSDM thonë se pas blerjeve të dyshimta të makinerive me çmime astronomike, disa herë më të larta se ato reale, kryetari i Ohrit, Kiril Pecakov, ka ndarë para për një klub hendbolli në të cilin ai vetë është themelues.

“Mbi 250 mijë euro, të publikuara në Gazetën Zyrtare të Komunës së Ohrit, numër 14, datë 28.12.2023, i janë paguar GRK Ohri nga Komuna e Ohrit si mbështetje direkte. Pronar i GRK Ohri është RK Ohër 2013, ku themelues i klubit të hendbollit është pikërisht kryetari Kiril Pecakov. Pra, Pecakov në mënyrë indirekte i transferon para vetes përmes komunës!?”.

“Prokuroria kompetente duhet të konstatojë nëse është shkelur kodi penal sepse kryetari i komunës ka ndarë mjete për një klub, themeluesi i të cilit është pikërisht ai. Duhet të përcaktohen të gjitha aspektet sepse ekziston dyshimi i bazuar se në këtë mënyrë mund të pompohen paratë tek qytetarët dhe pastaj të keqpërdoren”, thonë nga LSDM.

Më tej shtojnë se “nuk ka asnjë komunë në vend që udhëhiqet nga OBRM-PDUKM-ja dhe për të cilën nuk ka skandal që ka të bëjë me financat, prokurimet publike dhe paratë e qytetarëve”.