Maqedoni

LSDM: Mickoski në panik, LSDM-ja e konsoliduar dhe e motivuar!

Deklaratat e Mickoskit, i cili qartazi është i zhgënjyer nga konsolidimi i LSDM-së, janë edhe një dëshmi për politikën e tij dyfytyrëshe dhe frikën nga opozita e fuqishme që udhëhiqet nga partia jonë – reagojnë socialdemokratët pas deklaratës së fundit të Kryeministrit Mickoski ku ka komentuar zgjidhjet kadrovike pas Kongresit të 30-të të LSDM-së.

“Pritjet e Mickoskit për shkatërimin e LSDM-së jo vetëm që nuk u realizuan, por realiteti është duke e detyruar të përballet me të vërtetën; LSDM-ja është e konsoliduar, e motivuar dhe e gatshme për fitore të reja. Udhëheqësia e re e LSDM-së është ekipi që bën bashkë kapacitetet e kuadrove të rinj dhe me përvojë me përkushtim të plotë për interesat e qytetarëve” – thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas LSDM-së, deklaratat e Mickoskit paraqesin tentativë për të defokusuar opinionin nga problemet në radhët e VMRO-DPMNE-së. Socialdemokratët thonë se në radhët e partisë së Mickoskit ka njerëz të dënuar për krime, persona nën hetime për korrupsion kurse VMRO-DPMNE është e robëruar në afera korruptive që degradojnë skenën politike në RMV.

“Në vend që t`i zgjidh parregullsitë dhe të përballet me personat që cënojnë besimin në institucione, Mickoski merret me kritika boshe ndaj LSDM-së, që vetëm se reflektojnë paaftësinë e tij dhe mungesën e vizionit për të ardhmen e vendit” – thonë nga LSDM-ja.