LSDM-ja nuk heq dorë nga ligji për branitellat
LSDM-ja thotë se nuk do të heqë dorë nga ligji për branitellat edhe pas bllokimit të punës së Komisionit për politikë sociale në Kuvend, shkruan Alsat.
Sipas tyre, kreu i Kuvendit Afrim Gashi ka vepruar me standard të dyfishta që në fillim të procedurës dhe do të shikojnë opsionet, madje edhe opsionin e interpelancës ndaj tij.
Komisioni për politikë sociale është jofunksional pas dorëheqjes së kryetares Ilire Dauti për të cilën u miratua interpelancë. Dauti nuk kishte proceduar ligjin për kompensimin financiar të branitellave.
“Absolutisht do t’i shohim të gjitha opsionet në periudhën e ardhshme që ligjin ta vendosim përfundimisht në shqyrtim, në përputhje me procedurën dhe në përputhje me atë që do të ofrohet si mekanizëm se si mund të bëhet kjo në mënyrë më efikase. Të gjitha opsionet janë në tavolinë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së./ Alsat.mk