Los Angeles, rritet në 25 numri i të vdekurve nga zjarret masive
Të paktën 25 njerëz kanë vdekur deri sa zjarret vazhdojnë të shkatërrojnë pjesë të qytetit Los Angeles për të nëntën ditë me radhë, raporton Anadolu.
Në zjarrin në lagjen Palisades kanë humbur jetën nëntë persona, ndërsa në zjarrin në lagjen Eaton kanë humbur jetën 16 persona.
Teksa zjarret po vazhdojnë, autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se erërat pritet të fryjnë gjatë natës dhe mund të përhapin zjarrin.
“Erërat janë më të dobëta se sa pritej sot, por mund të ketë erëra më të fuqishme në të ardhmen”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit në Los Angeles, duke shtuar se paralajmërimet mbeten në fuqi.
Sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni (Cal Fire), zjarret në Eaton dhe Palisades janë bërë zjarret më të mëdha dhe më shkatërruese në historinë e Kalifornisë Jugore. Së bashku, zjarret në Palisades, Eaton dhe Hurst kanë djegur rreth 60 milje katrorë, një zonë më e madhe se Parisi.
Deri mbrëmë, zjarri në Palisades ka djegur mbi 23.700 hektarë dhe është 18 për qind i kontrolluar. Zjarri në Eaton, i cili ka djegur 14.117 hektarë, është 35 për qind i kontrolluar. Në kontin Ventura, zjarri është 47 për qind i kontrolluar, ndërsa zjarri në Hurst në veri të qytetit Los Angeles është pothuajse plotësisht i kontrolluar në 97 për qind.
Robert Fenton, administrator rajonal i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA), tha se janë pranuar më shumë se 40 mijë aplikime për ndihmë nga individë të prekur nga zjarret në Kaliforni. Kjo erdhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se njerëzit e prekur nga zjarret do të marrin një pagesë prej 770 dollarësh.