“Logos-A” nga Shkupi merr çmimin e parë në Stamboll, dekorohet edhe Shtëpia Botuese nga Ukraina
Shtëpia Botuese “Logos-A” nga Shkupi fitoi vendin e parë në “Çmimin e të drejtave të autorit Stamboll” në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Botimeve të Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në emër të “Logos-A” çmimin e mori drejtuesi i shtëpisë botuese, Adnan Ismaili, nga ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy.
Duke folur për rëndësinë e aktiviteteve në kuadër të Javës së Botimit që u mbajt në Qendrën Kulturore Atatürk (AKM), ministri Ersoy tha se Java Ndërkombëtare e Botimeve të Stambollit është si falënderim ndaj pjesëtarëve të këtij sektori.
“Është një aktivitet që ka ardhur në jetë me idenë për të krijuar një mjedis ku do të shkëmbehen ide dhe përvoja për sotmen dhe nesërmen e botimit, si dhe krijimin e komunikimit dhe marrëdhënieve”, tha Ersoy.
Ismaili, nga ana e tij, duke treguar se udhëtimi i “Logos-A” vazhdon që 32 vite, tha se gjatë këtyre viteve kanë marrë disa çmime, por se ky çmim ka mundësuar hapjen e horizonteve të reja për to.
Ai tha se kanë botuar disa libra të Prof. Dr. Ilber Ortaylı, historian i njohur turk, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në aktivitet. “Deri më tani rreth 250 libra kemi botuar nga turqishtja në shqip. Pas kësaj inshallah synojmë që të botojmë dyfishin e kësaj”, u shpreh Ismaili duke falënderuar Programin e Turqisë për Mbështetje të Përkthimit dhe Botimit (TEDA).
Në aktivitet gjithashtu morën pjesë shumë personalitete të rëndësishme të botës së botimeve.
Vendin e parë në kategorinë e “Çmimit të të drejtave të autorit Stamboll” e fitoi shtëpia botuese Logos-A, ndërkaq vendin e dytë “Arab Scientific” nga Libani, si dhe vendin e tretë “Alemak” nga Ukraina.