Maqedoni

“Lloji indian” me simtoma të ndryshme nga virusi zakonshëm

Personi i dytë i infektuar me “llojin Indian” të virusit korona në Maqedoninë e Veriut, njësoj si i infektuari i parë ka ardhur nga Iraku, ku kanë punuar së bashku. Autoritetet shëndetësore shprehin bindjen se nuk ka nevojë për masa preventive shtesë. Sipas shkencëtarëve “lloji indian” ose “variant delta”, siç është quajtur, jep simptoma të ndryshme nga virusi korona i zakonshëm. Në vend të kollës së thatë dhe shqisave të humbura të nuhatjes dhe shijes, të sëmurët me llojin indian kanë kokëdhimbje, dhimbje në fyt dhe rrjedhje të hundës. Pikërisht kjo i detyron të infektuarit që në fillim të mendojnë se kanë ftohje të zakonshme sezonale.

Profesori britanik Tim Spektor, bashkëthemelues i aplikacionit në internet ZOE, përmes të cilit është kryer sondazh me rreth 4 milionë të infektuar, thekson se “variant delta ose indian” është dyfish më infektues dhe për këtë arsye përhapet shumë shpejt. Ky studim, deri më tani më masivi për simptomat, testet dhe ndikimin e vaksinave, tregon se të infektuarit në fillim mendojnë se kanë ftohje të zakonshme, sepse nuk i kanë të humbura shqisën e nuhatjes dhe të shijes dhe nuk kanë kollë dhe për këtë arsye shumica prej tyre paraqiten vonë te mjeku. Simptomat më të shpeshta te “lloji indian” janë kokëdhimbja, dhimbja në fyt dhe rrjedhja e hundës, ndërsa ethet janë simptomë e përbashkët me variantet tjera të virusit. “Lloji indian”, për momentin përbën 91% të të infektuarve të rinj në Britaninë e Madhe, ku shifrat sërish kanë filluar të rriten me shpejtësi, ndërsa dje u regjistruan rreth 11 mijë pacientë të rinj.

TIM SPEKTOR, PROFESOR, BRITANI E MADHE

“Mendojmë se kjo e përkeqëson problemin. Bëhet fjalë për virus shumë ngjitës, që sqaron pse bëri dëm aq të madhe për kohë shumë të shkurtër.”

Mjekët këtë herë i paralajmërojnë të rinjtë, të cilët Covid-19 zakonisht e konsiderojnë si ftohje pak më të rëndë dhe për këtë arsye vazhdojnë të grumbullohen në grupe më të mëdha, ku një bartës i virusit mund të infektojë gjashtë të tjerë. Dy doza të vaksinës konsiderohen mbrojtje e mirë nga “lloji indian” dhe mjekët bëjnë thirrje që sa më shumë njerëz ta marrin vaksinën. /KlanMacedonia