Maqedoni

Lloga: Diskriminim i rëndë! Sistemi i drejtësisë e njeh ekspertizën nga Serbia për rastin në Onkologji, por jo edhe për rastin “Alfa”

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka reaguar pasi Gjykata Penale hodhi poshtë kërkesën për rigjykim në rastin “Alfa”, me arsyetim se nuk ka ekspertë në vendin tonë që mund ta vlerësojnë ekspertizën që u bë në Serbi, përcjell TV21. Lloga pyet se si ka mundësi që i njëjti sistem i drejtësisë, të njeh ekspertizën nga Serbia për rastin e keqpërdorimeve në Onkologji, por jo edhe për rastin “Alfa”.

Reagimi i Llogës:

REDUCTIO AD ABSURDUM

Si është e mundur që brenda një muaji sistemi juridik në Maqedoni të prodhojë diskriminim të rëndë, shkelje të barazisë në gjykim dhe një krim me përmasa epike? Çfarë absurditeti, kur dy vendime që bien në kundërshtim të plotë me njëri-tjetrin ndodhin brenda vetëm 1 muaji!

Më 11 Nëntor, Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit refuzoi kërkesën për rigjykim në bazë të faktit të ri, të vërtetuar nga ekspertiza në Serbi, ku Agimi dëshmon pafajësinë e tij. Vetëm 1 muaj më pas, më 11 dhjetor, në një brifing me gazetarë, sistemi i drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, përmes Prokurorisë Publike, deklaroi se në bazë të një ekspertize të kryer gjithashtu në Serbi lidhur me çështjen e Onkologjisë, ka prova për ekzistencën e krimit në punën e kësaj klinike. Në atë brifing, Prokuroria Themelore e Shkupit u shpreh:

> „Dërguam në Serbi rreth 16 raste për ekspertizë. Ekspertiza për këto raste është kryer dhe na është dorëzuar. Sa i përket ekspertizës për 51 rastet e tjera, ende nuk është përfunduar dhe kemi një raport paraprak që do të përfundojë deri në fund të janarit.“

Kodi i Procedurës Penale të RMV-së, neni 236, alineja 7, për rastet kur nuk ka ekspertizë të nevojshme brenda Maqedonisë, thekson:

> „Vetëm përjashtimisht mund të përcaktohet si ekspert një person që banon jashtë vendit ose një institucion i huaj profesional, i cili sipas ligjeve të vendit përkatës plotëson kushtet për kryerjen e ekspertizës, nëse në Republikën e Maqedonisë nuk ekziston një institucion i arsimit të lartë, shkencor ose profesional, një tregtar i pavarur – ekspert ose një shoqëri tregtare e regjistruar për kryerjen e ekspertizës për llojin e caktuar të analizës.“

Kjo situatë ilustron qartë një shembull të absurditetit juridik dhe mungesës së koherencës në zbatimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut. Pyetja mbetet: si mund të pranohet një vendim mbi bazën e të njëjtave rrethana juridike dhe ekspertiza, por me rezultate dhe qëndrime diametralisht të kundërta?

– Ne bazë të të gjitha atyre që ceka më lartë ka vetem një rrugë, të pranohet rigjykimi dhe të dëshmohet pafajsia e e Agimit.

– Krenar Lloga, ish Ministër i Drejtësisë dhe Nënkryetar i ASH