Maqedoni

Lita: E djathta shqiptare kërkonte bashkimin kombëtar

Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se, gjatë vitit 1945, interesim më të madh për fatin e shqiptarëve nën Jugosllavi, në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, shprehte Misioni Ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar sesa vet Enver Hoxha dhe regjimi i tij”, thotë historiani Lita.

Intervistoi: Ismail SINANI

E djathta shqiptare është në fokus të kësaj interviste me historianin Qerim Lita. Kjo pjesë e rëndësishme e historisë̈ sonë kombëtare, prej disa dekadash nën ndikimin e frymës së majtë, është mbajtur “larg” edhe nga historiografia shqiptare. Rrjedhimisht, brezat e rinj, por pse jo edhe më të vjetrit kanë shumë pak njohuri për periudhën para dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, kur – përmes respresaljeve të ndryshme – është mbyllur dhunshëm një kapitull i rëndësishëm në formësimin e kombit tonë. Pa dyshim që Nacional Demokratikja Shqiptare (NDSH), por edhe organizatat e tjera të kohës, kanë qenë boshti, që po të mos ishte thyer në atë kohë, sot shqiptaret do të flisnin për agjenda krejt tjera gjeopolitike.

SHENJA: Pas Rilindjes kombëtare, e cila rezultoi me themelimin e shtetit shqiptar, e deri te Lufta e Dytë Botërore, në çfarë drejtime u zhvillua mendimi politik dhe lëvizjet politike te shqiptarët?

LITA: Siç është e njohur botërisht, shpallja e pavarësisë së Shtetit Shqiptar më 28 nëntor 1912 në Vlorë erdhi në kohën kur tashmë thuajse tre të katërtat e tokave shqiptare ishin të pushtuara nga ushtritë e aleancës ortodokse ballkanike: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Me vonë, Konferenca e Londrës (1912-1913) e Fuqive të Mëdha e njohu pavarësinë e Shqipërisë me kufi të cunguar, me ç’rast më se gjysma e tokave shqiptare ngelën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Kosova dhe trevat lindore (trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme të Veriut) iu aneksuan Serbisë, trevat veriore Malit të Zi, ndërsa Çamëria iu ankesua Greqisë. Dokumentet e kohës hedhin dritë se vetëm brenda harkut kohor tetor 1912 gusht 1913 ushtritë pushtuese serbo-malazeze vranë dhe masakruan mbi 20.000 shqiptarë, mijëra të tjerë u burgosën, në mesin e tyre edhe krerët e njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Sait Hoxha, Idriz Seferi e dhjetëra të tjerë, të cilët për muaj të tërë qëndruan në burgun e Kalemejdanit në Beograd. Si rrjedhojë e dhunës dhe terrorit serbomadh, mbi 120.000 shqiptarë u detyruan t’i lëshojnë vatrat e tyre, ndërsa pjesa dërmuese e tyre u vendosën në Stamboll, Anadolldhe në vise të tjera të Turqisë. Tërë ajo politikë e dhunshme, që zbatohej asaj kohe nga pushtuesit serbo-malezezë, kishte një qëllim të vetëm – të ndryshojë me çfarëdolloj çmimi karakteri etnik në krahinat ku banonin shqiptarët. Krimi, gjenocidi dhe mizoritë e ushtrisë serbo-malazeze asaj kohe u shtrinë në mbarë hapësirat e pushtuara shqiptare, si në Shkup, Kumanovë, Drenicë, Dibër, Tetovë, Gostivar, Gjilan, Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Plavë, Guci, Sanxhak etj.. Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, në një numër të saj, shkruante se njësitë pushtuese ushtarake-policore serbe, në hyrje të Prizrenit kishin vrarë dhe masakruar 300 lumjanë të paarmatosur, në afërsi të Shkupit “therrën si berra 2000 Shqiptarë”, ndërsa dhjetëra fshatra u dogjën duke i vrarë e masakruar të gjithë banorët e tyre. “Qeveria serbe, shkruante gazeta, kishte vënë ndër mënt ta pastroj Kosovën prej të zotëve të saj, prej Shqiptarëve. Oficerët e kralj Petrit zbaviteshin duke gjuajtur në njerëz dhe duke turpëruar gratë, të cilat hidheshin në lumë që të shpëtojnë nga thonjt e bishave të Sërbiës; ushtarët mereshin me të vjedhur edhe mjellin e magjes edhe mashën e vatrës, sepse janë të Shqiptarit – edhe Shqiptari nuk meriton të ketë gja të këtillë në kasollen e vet…”. Në kushte dhe rrethana të tilla, shqiptarët në përgjithësi, e ato të tokave të robëruara në veçanti, shpëtimin e vetëm e shihnin vetëm tek ndërhyrja e Fuqive të Mëdha dhe tek mëshira e popujve të qytetëruar evropianë. Dëshmia më e fuqishme e kësaj është thirrja që paria e Dibrës ua dërgoi në vjeshtë të vitit 1913 Fuqive të Mëdha me këtë përmbajtje:“Ne Dibranët, të vënë nën zgjedhën e Sërbëve që prej dhjetë muajsh,duruam me bindësië çdo mënyrë shtypje, por ndjekjet e fundit na forcuan në kaq dëshpërim sa ta pëlqejmë vdekjen nga robëria. Mijëra të pafajshëm të ikur nër male dhe shkëmbinj,janë në rezik vdekje prej të ftohti dhe urie. Gjendjae jonë e tanishme asht e padurueshme dhe e paskëtajmeja jonë e errët dhe e panjohur. Vetëm drejtësia e Fuqive të mëdha dhe mëshira e popujve të qytetëruëm mundin të na shpëtojnë. Të sigurt që lutjet tona do dëgjohen për së shpejti, kërkojmë drejtësijën e kabineteve të Fuqive të mëdha dhe në ndërgjegjen e popullit t’Evropës, i cili asht i vetëm që mund të na apër të drejtën të rnojmë të lirë n’atdheun tonë të ndjeshëm”. Dhuna dhe terrori serbo-malazias gjatë Luftës së Parë Botërore u zëvendësua përkohësisht me atë bullgar, për t’u rikthyer sërish pas përfundimit të saj dhe krijimit të shtetit, përkatësisht Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene më vonë Jugosllave, që zgjati deri në shpërbërjen e saj (prill të vitit 1941). Me kërkesë të NikollaPashiqit, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë hartoi “Programin nacional serb”, sipas së cilit shqiptarët nuk njiheshin si komb, por “myslimanë dhe mbetje turke në Ballkan”. Rrjedhimisht, gjatë vitit 1919 u soll Ligji për Reformën Agrare, me të cilin qarqet pushtuese serbomadhe synonin që shqiptarëve t’ua konfiskonin tokën e bukës, për t’i detyruar të shpërnguleshin në Turqi ose në Shtetin Shqiptar. Ndërkohë, gjatë vitit 1931, u soll edhe “Ligji për kolonizimin e viseve jugore”, që rezultoi me vendosjen e një numri jashtëzakonisht të madh të kolonëve sllavë në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare. Për t’i bërë ballë kësaj politike shkombëtarizuese, në këto hapësira shqiptare vepruan në mënyrë legale dhe ilegale shumë organizata dhe lëvizje kombëtare shqiptare, si: Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, Lëvizja Kaçake, organizata politike “Xhemijet” (Bashkimi), organizata studentore “Besa” etj. Në ballë të tyre qëndronin figura të shquara politike, kombëtare, fetare e ushtarake shqiptare, si: Hasan Prishtina, vëllezërit Draga (Nexhip dhe Ferhat), AqifBlyta, Halim bej Deralla, Remzi Shaqir beu, Azem Bejta, Idriz Seferi, Adem Bulku, Kalosh Dani, Kadri Saliu, hafiz Sherif Langu, mulla Idriz Gjilani, Ataullah ef. Kurtishi, hafiz Bedri Hamidi, Shaban Efendiu, Sait Hoxha, Azem Hoxha, Shehab Selim Shehabi, Asim Luzha, Mustafa Dërguti, Abdulla Musliu, Shuaip Kamberi, Ibrahim Lutfiu, Iliaz Agushi, Sokol Dobroshi, Esad Berisha, Ramadan Presheva e shumë të tjerë. Rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar asaj kohe luajti edhe udhëheqja e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, e cila erdhi pas zgjedhjeve të para të lira që ky institucion fetar i mbajti në maj të vitit 1937. Nuk duhet harruar as rolin dhe kontributin e diplomacisë së Mbretërisë Shqiptare, përkatësisht të Legatës së Beogradit, Kryekonsullatës së Shkupit dhe të Konsullatës së Manastirit. Të gjithë ata së bashku kontribuan që planet dhe programet antishqiptare, të hartuara nga pushtuesit serbomëdhenj, të mos realizoheshin ashtu siç i kishin planifikuar. Këtë më së miri e pohon analiza e hartuar më 12 mars të vitit 1939 nga kryeshefi i qarkut të Shkupit, Nik Dimtrijeviq, ku ndër të tjerave thuhet: “…aktiviteti i parisë shqiptare, mësuesve fetarë si dhe përfaqësive diplomatike shqiptare në Shkup, Manastir e Beograd pati ndikim vendimtar që lëvizja për shpërnguljen, e cila qe përfshirë te popullsia e jonë shqiptare deri në vitin 1936, sot të ngulfatet, përkundër faktit se deri në atë periudhë kohore fshatra të tëra ishin të gatshme t’i lëshojnë vatrat e tyre dhe t’i lënë pronat e tyre pa kurrfarë dëmshpërblimi, pos që shteti t’i lirojë nga tatimi i tokës, t’u jep pasaporta falas dhe t’ua paguajë rrugën deri në kufirin tonë…”.

SHENJA: E djathta shqiptare, kjo pjesë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, prej disa dekadash nën ndikimin e frymës së majtë, është mbajtur “larg” edhe nga historiografia shqiptare. Rrjedhimisht, brezat e rinj, por pse jo edhe më të vjetrit, kanë shumë pak njohuri për periudhën para dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, kur përmes reprezaljeve të ndryshme, është mbyllur dhunshëm një kapitull i rëndësishëm në formësimin e kombit tonë. Pse pas tridhjetë vjetësh demokraci ende historianët shqiptarë, por jo vetëm ata, frymojnë “majtë”?

LITA: Po, për fat të keq ende kemi numër jo të vogël të historianëve shqiptarë, të cilët me fanatizëm e mbrojnë ideologjinë komuniste. Sipas botëkuptimeve të tyre, Partia Komuniste e Shqipërisë është trashëgimtarja e vetme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe se orientimi pro-jugosllav ishte një “domosdoshmëri e imponuar” nga aleatët e mëdhenj. Ata harrojnë se ishin pikërisht PKSH-ja dhe Enver Hoxha shkaktarët kryesorë që e prishën Marrëveshjen Kombëtare të Mukjes, duke e cilësuar atë si një “tradhti kombëtare”, i shpallën luftë të hapur Ballit Kombëtar dhe nacionalizmit shqiptar në përgjithësi. Ky gjykim i Hoxhës bëhej me porosi dhe direktivë të udhëheqjes komuniste jugosllave, që përcillej nëpërmjet Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës, dy përfaqësuesit e PKJ-së pranë PKSH-së. Për Hoxhën “miqësia” midis udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave përbënte “një rëndësi jetësore”, ndërkohë që mbi Kosovën dhe trevat verilindore shqiptare nga repartet komuniste jugosllave ushtrohej terror dhe dhunë, kryheshin masakra, ekzekutime, dhunime, burgosje individuale e kolektive, gjithë kjo me synim për spastrimin etnik përmes hakmarrjes kolektive të tipit racial. Pikërisht orientimi pro-jugosllav dhe pro-sovjetik ishin shkaqet kryesore që SHBA-të të mos e pranojnë “Qeverinë e Përkoheshme të Shqipërisë” e cila në mënyrë të njëanshme u shpall më 22 tetor 1944 në Berat, duke e konsideruar atë si një krijesë jugosllave. Sekretari Shtetëror i SHBA-së në nëntor të vitit 1945 e kushtëzoi pranimin e “Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë” me tre kushte: së pari, deklaratë të shkruar nga Qeveria e Përkohshme se zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin Kombëtar do të zbatoheshin mbi bazën e lirisë së vërtetë, votimin e fshehtë pa kërcënime dhe frikësime; e dyta, të gjithë demokratët, individët dhe grupet në Shqipëri ta gëzojnë lirinë e të folurit dhe të drejtën që përmes rrugës ligjore të bëjnë vendosjen dhe ndihmën e kandidatëve të tyre dhe korrespodentëve të shtypit të huaj t’u lejohet të vëzhgojnë dhe të dërgojnë lirshëm raporte për zgjedhjet dhe për punën e Kuvendit Kombëtar; dhe, së treti, pushtetarët shqiptarë të deklarojnë se kontratat dhe marrëveshjet të cilat ishin arritur deri më 7 prill 1939 midis SHBA-ve dhe Shqipërisë të ngelin në fuqi. Si zakonisht, Enver Hoxha, me direktivën e udhëheqjes jugosllave, i hodhi poshtë kushtëzimet e mësipërme dhe, për rrjedhojë, SHBA-ja në shenjë proteste e tërhoqi nga Shqipëria misionin e vet diplomatik. Po kështu ndodhi edhe me Britaninë e Madhe, ashtu që regjimi komunist i Enver Hoxhës u fut plotësisht nën ombrellën komuniste jugosllavo-sovjetike.

SHENJA: E djathta shqiptare gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur shumë shpresa se së shpejti do të ndodhë një rikonfigurim ballkanik dhe, rrjedhimisht, shqiptarët do të renditen me boshtin antikomunist. Këto shpresa a kanë qenë me bazë apo thjesht iluzione të tyre për shkak të mosnjohjes së zhvillimeve globale të kohës?

LITA: E djathta shqiptare që gjatë LDB-ës udhëhiqej nga Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit etj, ndërsa pas përfundimit të saj, nga LNDSH-ja, përveçse kthimin e pavarësisë së Shtetit Shqiptar synonte edhe vendosjen e një sistemi demokratik pro-perëndimor dhe bashkimin kombëtar. Kjo përfshihej në pikën 1, 2 dhe 10 të Dekalogut të Ballit Kombëtar, të miratuar në shtator të vitit 1942, ku thuhej se Balli Kombëtar angazhohej për një “Shqipëri të lirë, të realizuar nga bashkimi, angazhimi e lufta e gjithë fuqive të gjalla të kombit në luftë kundër pushtuesit, për një Shqipëri etnike e demokratike”. Vetë Mid’hat Frashëri, si udhëheqës i kryesor i nacionalizmës shqiptare, deklaronte se “nuk duhet pushuar së punuari derisa çdo shqiptar të jetë brenda trojeve të veta dhe trojet shqiptare të jenë brenda kufijve të shtetit shqiptar”. Më duhet të them se idenë properëndimore nuk e mbronte vetëm e djathta shqiptare, por edhe një pjesë bukur e mirë e majtistëve shqiptarë, të cilët gjatë LDB-së qenë rreshtuar përkrah PKSH-ës dhe FNÇSH-ës. Pjesa më e madhe e tyre i përkisnin krahut intelektual të Partisë, si Sejfulla Maleshova, Petro Marko, Gjergj Kokoshi, Islam Radovicka, Mirash Ivanaj, Suad Asllani, Selahudin Toto e shumë të tjerë, të cilët për shkak të qëndrimeve të tyre pro anglo-amerikane, gjatë viteve 1946/47, përveç se u përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, njëkohësisht nga ana e gjykatave të atëhershme komuniste morën dënime të rënda deri në vdekje e pushkatim. Ministri Fuqiplotë Jugosllav në Tiranë, Josip Gjergja, i shkruante Josip Broz Titos se krahu intelektual brenda PKSH-së, në krye me Sejfulla Maleshovën, “janë bartësit kryesorë të politikës së bashkëpunimit me çdo kusht me Anglinë dhe Amerikën” dhe njëkohësisht kundër lidhjes së ngushtë me Jugosllavinë. Pra, falë Enver Hoxhës dhe klikës së tij, ndodhi ajo që politika shtetërore shqiptare ta shpallë “armike” aleancën anglo-amerikane për t’u rreshtuar përkrah armiqve të vërtetë të shqiptarëve, përkatësisht përkrah jugosllavëve dhe rusëve. Kjo do të thoshte se armiku i vërtetë i shqiptarëve u shpall për “mik”, ndërsa miku i vërtetë për “armik”.

SHENJA: Pa dyshim që Nacional Demokratikja Shqiptare (NDSH), por edhe organizatat e tjera të kohës, kanë qenë boshti, që po të mos ishte thyer në atë kohë, sot shqiptarët me siguri do të flisnin për agjenda krejt tjera gjeopolitike. A mund ta zbërtheni hipotezën se si do të dukej kombi shqiptar po të mos vinin në pushtet të majtët dhe cila është pasoja e fitores së komunistëve ndaj orientimit dhe zhvillimit tonë si komb?

LITA: Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) në historiografinë bashkëkohore shqiptare konsiderohet si vazhdimësi e Ballit Kombëtar. Një vendim i tillë u mor në Kongresin e I(III) të saj, që u mbajt më 15-16 gusht 1945 në Kopilaçe, ku thuhej “Lëvizja e Ballit Kombëtar në të ardhmen të njihet si Lëvizje Nacional Demokratike Shqiptare”, për shkak se asaj iu bashkuan të gjitha organizatat dhe lëvizjet politike shqiptare, të cilët kishin për synim çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Ajo, duke u mbështetur në Kartën e Atlantikut, neni IV, ku thuhej se “asnjë copë tokë s’ka për të ju lëshue një shteti tjetër pa vullnetin e popullsisë së vendit të shfaqur me plebishit”, me të drejtë kërkonte mbajtjen e një plebishiti në Kosovë dhe në trevat verilindore shqiptare, nën sigurimin dhe mbikëqyrjen e faktorit ushtarak e politik ndërkombëtar: “…Të vij një ushtri ndërkombëtare, thuhej në Proklamatën e Kongresit të Kopilaçes, e cila do të vendoste rendin dhe një delegacion ndërkombëtar, i cili do t’i vëzhgonte votimet…”. Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se, gjatë vitit 1945, interesim më të madh për fatin e shqiptarëve nën Jugosllavi, në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, shprehte Misioni Ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar sesa vet Enver Hoxha dhe regjimi i tij. Kryetari i misionit në fjalë, gjenerali Hodgson, shprehte habinë e tij se përse qeveria shqiptare nuk merrte guxim të dilte me deklaratë zyrtare për problemin e Kosovës. “…Anglezët, theksonte në një raport të tij J. Gjergja, me punën e tyre përpiqen që çështjen e Kosovës ta ngrenë para masave… dhe në këtë mënyrë të cenohet miqësia dhe vëllazëria midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë…”. Para se t’i përgjigjem pjesës së fundit të pyetjes suaj desha të bëj një korrigjim, në shikim të parë të vogël, por në esencë shumë domethënës. Pushtetin në Shqipëri nuk e morën të majtët, por klika komuniste pro-jugosllave dhe pro-sovjetike, e cila nuk erdhi përmes votës së lirë dhe demokratike, siç insistonte aleanca anglo-amerikane, por në mënyrë të njëanshme dhe të dhunshme, si dhe me përkrahjen e Beogradit e të Moskës. Si kundërshpërblim, Enver Hoxha, menjëherë pasi u shpall kryeministër i “Qeverisë së Përkohshme”, urdhëroi që dy divizione shqiptare (V dhe VI) të kalojnë urgjentisht në Kosovë, në trevat lindore dhe ato veriore, për t’u ofruar ndihmë njësive komuniste jugosllave në ripushtimin e atyre tokave shqiptare. Unë jam thellë i bindur se po qe se do të ndodhte e kundërta, përkatësisht nëse do të pranoheshin tre kushtëzimet e lartpërmendura të SHBA-së, atëherë në Shqipëri do të vendosej sistemi demokratik shumëpartiak pro-perëndimor dhe në atë rast edhe problemi i shqiptarëve nën Jugosllavi do të merrte një kahe krejtësisht të kundërt, kuptohet në të mirë të tyre.

SHENJA: Si funksionoi NDSH-ja në trojet shqiptare? A kishte dallim në funksionim në vendet e ndryshme shqiptare? Përveç në ish-Jugosllavi a kishte zgjatime të kësaj fryme edhe në Shqipëri apo nuk arriti të shtrihet atje fare? Pse ndodhi kështu sipas jush?

LITA: Në Kongresin e lartpërmendur të Kopilaçes u vendos që Komiteti i NDSH-ës së Shkupit të shpallet organi më i lartë politik i organizatës dhe lidhja e vetme me komitetet shqiptare në Greqi dhe Itali, si dhe me çetat e armatosura shqiptare që vepronin në Kosovë dhe në trevat verilindore shqiptare. Ndërkohë, në Kongresin e II(IV), i cili u mbajt më 1 qershor 1946 në Shkup, u miratua Programi Politik, skema e organizatës, si dhe u formua Komiteti Qendror prej 8 anëtarëve. Përveç Komitetit Qendror qenë formuar edhe komitetet regjionale ose, siç quheshin, “Epruere”, ato të rretheve dhe komunale. Në kuadër të komiteteve të rretheve dhe atyre komunale vepronin çetat e armatosura. Në pjesën e parë të vitit 1946 ajo arriti të shtrihet në mbarë hapësirën shqiptare nën Jugosllavi, si dhe në pjesën veriore e verilindore të Shtetit Shqiptar. Tërë veprimtaria e saj politike, organizative e ushtarake dirigjohej nga Komiteti Qendror i Shkupit. Përveç Shkupit, si qendër e dytë e organizatës ishte Komiteti “Epruer” i Drenicës, me në krye Ajet Gërgurin dhe Gjon Sereçin. Lidhjet e këtyre dy komiteteve mbaheshin përmes letrareve të shifruara, të cilat dërgoheshin përmes korrierëve për të cilët dinin një numër shumë i vogël i udhëheqësve të organizatës.

SHENJA: Cila ishte fryma që e mbante gjallë këtë lëvizje dhe cilat ishin figurat kryesore të saj?

LITA: Udhëheqja e NDSH-së shpresonte shumë në një luftë të mundshme ndërmjet dy blloqeve kundërshtare, përkatësisht ndërmjet anglo-amerikanëve, në njërën anë, dhe sovjetikëve, në anën tjetër. Vet Halim Orana, në referatin e tij të mbajtur në Kongresin e Shkupit, bëri me dije se roli i organizatës do të përforcohet në rast “shpërthimit të luftës mes aleancës perëndimore dhe BRSS-së”. Po në këtë frymë u shpreh edhe Azem Marana, i cili duke folur për situatën politike ndërkombëtare, tha se lufta ndërmjet “Anglisë dhe BRSS-së ishte e paevitueshme”. “Prandaj, shtoi ai, një situatë e tillë duhet të shfrytëzohet nga organizata jonë që ta merr pushtetin në Kosovë e në Trevat Verilindore”. Nuk ishte e rastit që Komiteti Qendror i NDSH-së menjëherë pas këtij kongresi të vendosë lidhje me konsullin britanik në Shkup. Siç u tha në lart, në Kongresin e Shkupit u formua Komitetit Qendror i organizatës, ku për kryetar u zgjodh Halim Orana, zëvendëskryetar Qemal Skënderi, sekretar Azem Marana, ndërsa Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Hysni Rudi, hafiz Mexhit Zyberi dhe Qeram Zllatku për anëtarë. Përveç tyre, organizata pati edhe shumë figura dhe personalitete të shquara intelektuale e ushtarake, si: Gjon Sereçi, Muharrem Bajraktari, Ajet Gërguri, Ibraim Lutfiu, Murat Labënishti, Marie Shllaku, mulla Haki Taibi, Jonuz Balla, Mehmet Bushi, Spiro Harilla Theodosi, Hamdi Berisha, Sylë Hotla, Arif Kapiteni, Shemsi Hatibi, Shaban Efendiu, mulla Hajdar Kurtishi, Osman Lita, Zenel Lita, Cen Elezi, Dan Kaloshi, Fetah Efendiu, Xhemal Efendiu, Memet Efendiu, Ferat Efendiu, Don Gaspër Thaçi, Don Lazër Shanto, At Zef Pllumi, Osman Cami, Xhemal Fera, Nexhmedin Besimi, hafiz Hetem Tahiri, Jetish Vishi, Suad Sulejman Mehmedi, Abdylfari Ademi, Mehmet Selim Mehmeti, Nexhati Purde, Xhavit Abdullah Selimi, Medat Tërshana, Ilmi Ejupi, Hajrush Jakup Reka, Sylë Fejzullau, Shefki Metushi, Mumin Jakupi, Rexhep Bunjaku, Danush Nika, mulla Xhemal Shaqiri, Fahri Halimi, Xhevair Shaqiri, mulla Garip Beadini, hafiz Abdullah Abdullau, Abdulla Musliu, Metë Rexhep Zajçevci, Hamit Emini, Hilmi Zariqi e shumë të tjerë. Duhet shtuar se bartësit kryesorë të organizatës ishin mësuesit dhe ulematë e njohur shqiptarë, si dhe kleri katolik shqiptar i Shkodrës.

SHENJA: Çka ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore kur këto troje i kaploi komunizmi? Çka ndodhi me të djathtën shqiptare dhe si u zhvillua ajo deri në vitet e ‘90-ta kur ra Muri i Berlinit e, bashkë me të, edhe komunizmi si ide dhe rregullim shtetëror e politik në gati gjysmën e botës?

LITA: Ripushtimi i Kosovës dhe i trevave veri-lindore shqiptare, nga ushtria komuniste jugosllave, në kuadër të së cilës merrnin pjesë edhe dy divizione komuniste shqiptare, ishte i dhunshëm dhe i përgjakshëm. Këto njësi, posa u vendosën në këto toka shqiptare, në emër të “grumbullimit të armëve”, si dhe në emër të “zbulimit të ballistëve”, vranë dhe masakruan mijëra shqiptarë të pafajshëm dhe mijëra të tjerë arrestuan, duke i vendosur nëpër kampet e përqendrimit, nëpër kazermat ushtarake e lokalitete të tjera. Ndër masakrat më të njohura duhet veçuar masakrën e Kërçovës, Gostivarit, atë të Monopolit të duhanit në Tetovë, masakrën e Bllacës së Shkupit, Sopotit, Runicës, Malishevës, Gjilanit etj. Pa dyshim se kulmi i krimit dhe gjenocidit komunist jugosllav u arrit në Luftën e Drenicës (22 janar – 18 shkurt 1945), për të vazhduar me masakrën e Tivarit, ku u vranë 3.700 shqiptarë të pafajshëm dhe, së fundi, masakra e Dubrovnikut, ku dokumentet e kohës hedhin dritë se ishin vrarë e masakruar mbi 6.200 shqiptarë. Burgosjet, torturat e udhëheqjes komuniste jugosllave, përkatësisht të asaj maqedonase ndaj popullsisë shqiptare, do të vazhdojnë deri në rënien e komunizmit dhe shpërbërjen e asaj federate. Brenda asaj periudhe kohore u zhvilluan qindra procese gjyqësore kundër shqiptarëve në përgjithësi, e të inteligjencës së saj në veçanti, ku si më të rëndësishme duhet veçuar: proceset gjyqësore kundër veprimtarëve të NDSH-së (1945-1948); proceset gjyqësore pas Informbyrosë (1948-1951); proceset gjyqësore kundër inteligjencës shqiptare, e cila iu kundërvu procesit së turqizimit dhe të dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve për në Turqi (1952-1959); proceset gjyqësore në Kosovë për gjoja “armëmbajtje” ose, siç njihet, në opinionin e gjerë shqiptarë “aferës së armëve” të shpikur në vitin 1956 nga dueti ultranacionalist serb Rankoviq-Stefanoviq; proceset gjyqësore pas demonstratave të vitit 1968 në Kosovë e Tetovë dhe, së fundi, proceset gjyqësore pas demonstratave studentore të vitit 1981 në Kosovë, të cilat vazhduan pa ndërprerë deri në vitin 1990. Lidhur me fatin e të djathtës shqiptare, më duhet të them se përkundër luftës së ashpër e të vazhdueshme që i bëhej asaj jo vetëm nga qarqet komuniste të Beogradit, Shkupit e Prishtinës, por edhe nga ato të Tiranës, ajo arriti të ekzistojë dhe të jetë aktive në këto treva deri në pjesën e dytë të viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, që më pas veprimtaria e saj të zbehet. Prijësit e fundit të nacionalizmës shqiptare në Kosovë dhe në trevat lindore konsiderohen Metush Krasniqi dhe Mehmet Murtezani – Gega. Nga kjo periudhë kohore, në Kosovë e në trevat shqiptare në Maqedoni, u përhap furishëm fryma marksiste-leniniste. Po kjo frymë, çuditërisht, dominoi edhe te mërgata shqiptare në shtetet e Evropës Perëndimore në krye me Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), me përjashtim të SHBA-ve, ku bartëse e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare vazhdonte të qëndrojë e djathta shqiptare me në krye Lidhjen Kosovare, Ballin Kombëtar, Lidhjen e Prizrenit, Lëvizjen e Legalitetit etj. Fatkeqësisht, politika shqiptare ende dominohet nga individë me pikëpamje marksiste-leniniste.

SHENJA: Kur flasim për të djathtën shqiptare të asaj periudhe, përveçse e shohim një bosht të palëkundur kombëtar të atyre figurave, bie në sy fryma edhe fetare e protagonistëve kryesorë, natyrisht e brumosur me formim të fuqishëm intelektual. Ndërkohë, kur i dëgjojnë historianët e paktë që flasin mbi këtë periudhë, sikur nuk vërehen këto detaje. Pse?

LITA: Unë e theksova më lartë se bartës kryesorë të NDSH-së ishin intelektualët, përkatësisht mësuesit, hoxhallarët dhe kleri katolik. Tekefundit, edhe betimi i anëtarëve të organizatës bëhej para Kur’anit ose Biblës (varësisht besimit që i përkiste anëtari), Flamurit Kombëtarë dhe armës. Veprimtaria e hoxhallarëve vazhdoi edhe gjatë viteve të pesëdhjeta e gjashtëdhjeta, kur ata në bashkëpunim të ngushtë me intelektualët tjerë shqiptarë iu kundërvunë procesit të shpërnguljes së popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi. “O ju njerëz çka jeni duke bërë? Përse po shpërnguleni në Turqi dhe e lëshoni këtë vendlindje? Kjo tokë ka qenë e jona dhe e jona do të ngelë.”, u thoshte Shaban Efendiu shqiptarëve të Kumanovës, të cilët i linin vatrat e tyre për t’u shpërngulur në Turqi. Po kështu vepronin edhe ulematë tjerë, si: Mulla Hajdari, Mulla Garipi, Hafiz Abdullau, Fetah Efendiu, Mehmet Efendiu, Xhemal Efendiu etj. Ngjashëm siç ndodhi me veprimtarinë e të djathtës shqiptare, me kalimin e kohës zbehet edhe veprimtaria e ulemave shqiptarë. Kjo ndodhi për arsye se ulematë e vjetër nuk patën mundësi të lënë trashëgimtarë të tyre, pasi udhëheqja komuniste jugosllave që nga viti 1945 i mbylli të gjitha medresetë ekzistuese në Kosovë e në trevat veri-lindore shqiptare.

SHENJA: Ndonëse fakt i turpshëm, por është realitet historinë e shkruajnë fituesit. Sot, 76 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët disi kanë drojë t’i rreken rishkrimit të historisë. Në çka bazohet kjo frikë ose, më saktë, përse “historianët e kohës” i frikohen të vërtetës shqiptare?

LITA: Më duhet të them se këto dhjetë vjetët e fundit çështjet kanë lëvizur në drejtimin e duhur. Në vitin 2011, Instituti i Historisë së Tiranës, me mbështetjen e Qeverisë së atëhershme shqiptare, ndërmori një aktivitet konkret, i cili parashihte rishkrimin e historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX. Me atë rast mbi 40 historianë anembanë trojeve shqiptare u dërguan nëpër arkivat më të rëndësishme botërore, të cilët siguruan qindra mijëra dokumente me rëndësi për të kaluarën tonë kombëtare. Menjëherë pas kësaj u shkua në fazën e dytë, përkatësisht në përpilimin e teksteve shkencore sipas periudhave kohore. Tërë projekti parashihet të botohet në pesë vëllime. Deri më sot janë botuar tre vëllime, ndërsa sivjet parashikohen të botohen edhe dy vëllimet e fundit. Ashtu sikurse është titulluar, projekti përfshin të gjitha territoret shqiptare. Një aktivitet tjetër edhe më i rëndësishëm se i pari është projekti “Historia e Kosovës”, i cili është ndërmarrë nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Projekti është i paraparë të botohet në katër vëllime, ndërsa ai përveç territorin e sotëm të Kosovës e përfshin edhe territorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe territorin shqiptar në Malin e Zi. Ngjashëm sikurse në projektin e parë, edhe për këtë projekt dhjetëra studiues anembanë trojeve shqiptare u angazhuan nëpër arkivat relevante botërore, si dhe për përpilimin e teksteve shkencore. Me finalizimin e këtyre dy projekteve, të cilat do të sjellin prurje të reja të bazuara në dokumentet e arkivave të huaja e ato vendase, që pritet të ndodhin vitin e ardhshëm, mendoj se është mundësuar një e arritur e madhe për historiografinë tonë mbarëkombëtare.

SHENJA: Derisa flasim për rishkrimin e historisë, si do të duhet ta trajtojë historia shqiptare NDSH-në dhe a po e trajton ashtu siç ajo e meriton?

LITA: Pa dyshim se veprimtaria politike e ushtarake e NDSH-së meriton një punë të veçantë ekipore, për arsye se ajo nga shumë studiues shqiptarë dhe jo vetëm konsiderohet si lëvizje më puro-shqiptare në këto troje pas Lidhjes së Prizrenit. Nisur nga kjo, në kuadër të dy projekteve të sipërpërmendura, vendin e merituar e zë edhe Organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Kjo veçanërisht ka të bëjë për projektin e dytë, “Historia e Kosovës”, ku janë paraparë disa njësi të veçanta me të cilat synohet të zbardhet tërë veprimtaria e kësaj organizate.