Maqedoni

Lirohen tre personat që u ndaluan si të dyshuar për zjarrin në Sallën Universale

Personat e arrestuar një ditë më parë, që dyshohej se kishin lidhje me zjarrin në Sallën Universale, janë liruar sepse në këtë fazë nuk ka bazë për ndalimin e tyre të mëtutjeshme. Kështu kanë bërë me dije sot nga Prokuroria Themelore Publike. Në njoftimin e tyre, gjithashtu thonë se Prokurori publik dhe ekipi i ekspertëve do të bëjnë ekspertizë në vendin e ngjarjes.

“Pasi lokacioni u sigurua dhe u krijuan kushtet e nevojshme, ekipet e ekspertizës me Prokurorin Publik të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, sot e filluan ekspertizën në objektin e Sallës Univerzale, ku dje u shkaktua zjarr. Lokacioni do të jetë detajisht i kontrolluar që të sigurohen të gjitha provat e nevojshme për vërtetimin e shkaqeve të shkaktimit të zjarrit.”

Deri në këto momente sipas Prokurorisë nuk mund të thuhet se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, por këtë sipas tyre do ta vërtetoj ekspertiza, pasi të grumbullohen të gjitha provat.

“Përshkak se ende vazhdon faza e grumbullimit të provave, gjegjësisht deri në këtë moment nuk është vërtetuar se zjarri është shkaktuar si pasoj e faktorit njerëzor, dje në stacion policorë, janë marrë deklarata nga 3 persona të ndaluar, pas çka ato u liruan, marrë parasysh se në këtë fazë nuk ka bazë për mbajtjen e tyre të mëtejshme. Ekspertiza kompetente do të zbardh nëse zjarri eventualisht është shkaktuar nga faktori njerëzor ose bëhet fjalë për zjarrvënie aksidentale”.

Gjatë ditës së djeshme, shtojnë ata, në korniza të kompetencave të saj, Inspektorati Shtetëror për Punë, ka kryer kontroll në punën e kompanive të angazhuara për rekonstruimin e objektit dhe ka përgatitur procesverbal.

Paraditen e së hënës, Sallën Universale e kaploi zjarri, me çka u dogj njëra prej kupolave, por fatmirësisht nuk kishte të lënduar. Pas intervenimit të ekipeve të zjarrfikësve, zjarri u lokalizua dy orë më vonë.