Limani: Së shpejti fillojnë 13 projekte të reja, mbi 40 të tjera pritet që të miratohen
Në fazën e dytë të ndarjes së parave nga kredia Hungareze, para të cilat janë paraparë për investime kapitale në komuna, kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani tha se janë të parapara mbi 40 projekte, mes tyre, terrene sportive, rrugë, kanalizime, ujësjellës, revitalizim i një parku, si dhe një pishinë shkollore.
“Komuna e Gostivarit është në fazën përfundimtare të përgatitjeve. Besoj se do të kemi mbi 40 projekte të ndryshme infrastrukturore, duke filluar nga asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i kanalizimeve fekale, ujësjellësve, si dhe rinovimi i disa terreneve sportive. Gjithashtu, planifikojmë ndërtimin e një pishine shkollore pranë shkollës fillore ‘Goce Dellçev’ dhe revitalizimin e një parku të vogël, krahas projekteve të tjera që synojnë të mbulojnë nevojat e qytetarëve tanë”, tha Limani.
Ndërkohe, ai bëri të ditur se me 13 projektet e fituara nga thirrja e parë, punimet në terren do të nisin më së voni brenda dy javësh.
“Procedurat për shumicën e projekteve janë drejt përfundimit, disa tashmë kanë përfunduar. Po presim që operatorët të nisin punimet sapo kushtet atmosferike ta lejojnë. Nëse koha është e mirë, besoj se brenda dy-tre javësh do të fillojmë me projektet e para”, deklaroi Limani
Limani shtoi se realizimi i këtyre projekteve do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën e qytetit të Gostivarit.