Limani paralajmëron “Shtëpi për të rinjtë”, programin për kthimin e të rinjve nga mërgimi, mbështetje për kompanitë që punësojnë nëna me 3 e më shumë fëmijë
Rritja e mbështetjes financiare një herë për fëmijën e parë dhe të dytë, si dhe mbështetje financiare për fëmijën e tretë e më shumë, mbështetje financiare për nënat e kthyera nga pushimi i lehonisë, procedurë in-vitro me mundësi për çdo grua, “shtëpi për të rinjtë – blej një shtëpi për të rinjtë”, mbështetje për kompanitë që do të punësojnë nëna me tre ose më shumë fëmijë dhe programin “Welcome home” për të mbështetur personat që do të kthehen nga jashtë, si dhe për të stimuluar qëndrimin në vend, pra parandalimin e ikjes së trurit.
Të gjitha këto i paralajmëroi sot ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani, duke shpalosur planin për 100 ditëshin e Qeverisë.
Në një konferencë për media me rastin e punës së bërë në 100 ditët e para, Limani informoi se Plani për demografi parasheh masa për nxitjen e natalitetit.
Më poshtë Limani numëroi se çfarë është bërë për 100 ditë nga ministria që drejton:
Vazhdojmë 100% të përkushtuar të punojmë vetëm në interes të fëmijëve, të të rinjve, pensionistëve dhe kategorive të cënueshme të qytetarëve
Jemi zotuar të punojmë ekskluzivisht dhe vetëm në interes të qytetarëve dhe këtë po e bëjmë.
Në 100 ditë qeverisje arritëm:
-Pensione më të larta për 2.500 denarë për rreth 340.000 pensionistë, të garantuara plus 2.500 denarë me pensionin e marsit – gjithsej 5.000 denarë për pensionistët;
-Vëndosëm gurthemelin e 2 çerdheve të reja në komunën e Butelit me vlerë prej 100 milionë denarë dhe në komunën e Gazi Babës, Trubarevë, në vlerë prej 19 milionë denarë.
– Filluam me aktivitete ndërtimore për zgjerimin e objektit “Izvorçe” “Burimi” në çerdhen “Srniçka” “Drenusha”, Komuna Aerodrom, në vlerë prej 120 milionë denarë.
– Hapëm pjesën e zgjeruar të çerdhes “Goce Dellçev” në komunën e Ilindenit.
– Përfunduam edhe çerdhet në Jegunovc, Tearcë, Tetovë, Likovë, Shuto Orizarë, Haraçinë dhe Koçan.
– Në fazën përfundimtare janë edhe çerdhet në komunën e Çairit, Dibrës, Prilepit, Manastirit dhe Shën Nikollës – fshati Erxheli.
– Punimet ndërtimore janë duke vazhduar edhe në 13 kopshte të tjera.
– Filluam me ndërtimin e Qendrës Ditore për personat me aftësi të kufizuara fizike apo mendore në Kavadar, projekt ky me vlerë mbi 40 milionë denarë,
– Në proces është rikonstruksioni i një krahu në Shtëpinë e të moshuarve “Dr.Ivan Vlashki” në Berovë, në vlerë prej 11 milionë denarë.
– Filluam procedurat për 4 objekte të reja, 2 për përkujdesje jashtëfamiljare për personat e moshuar në Kriva Pallankë dhe Kavadar dhe 2 për persona me aftësi të kufizuara në Bogovinë dhe Makedonski Brod.
– Në fazën përfundimtare është rindërtimi i Institutit për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve – Shkup, Topansko Pole.
– Kemi lidhur 10 kontrata të reja me komunat dhe ofruesit e licencuar të shërbimeve sociale, gjegjësisht shërbime në shtëpi dhe shërbime në komunitet,
– Kemi punuar në mënyrë aktive për ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili është në fazën përfundimtare dhe paraqet përmirësim në procesin e dhënies së LICENCAVE për kujdestarët dhe edukatorët, proces ky i bllokuar qëllimisht për rreth një vit e gjysmë. Me këto ndryshime, procesi i punësimit në kopshte do të hapet për më shumë se 800 kujdestare, edukatore, profesionistë dhe bashkëpunëtorë.
– Nga Komisioni Europian është miratuar Programi Operacional IPA 3 “Kapital Njerëzor”, i cili përfshin “Garancinë për të rinjtë”, punësimin e kategorive të cënuesbme, ndërmarrjen sociale, dialogun social, shërbimet sociale, strehimin social. Grant i BE-së në vlerë 40 milionë. euro,
– Punojmë në mënyrë aktive në dy sektorët e rinj: demografia dhe rinia përmes politikave për përmirësimin e situatës demografike në vend dhe politikave për të mbajtur të rinjtë në shtëpi!
#100% përkushtim për ty!